Gjykimi i Azem Sylës. Foto: Kallxo.com

Gardiani i Akuzuar për Arratisjen e Sami Lushtakut Ruan Azem Sylën

Shërbimi Korrektues i Kosovës ia ka besuar ruajtjen e Azem Sylës njërit prej gardianëve i cili është i akuzuar se nuk ruajti si duhet të akuzuarit e tjerë të grupit Drenica gjatë arratisjes së Sami Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK.

Bashkim Dervisholli, i akuzuar si pjesë e grupit të gardianëve të përfshirë në arratisjen e Sami Lushtakut nga QKUK, është parë sot duke e shoqëruar të akuzuarin tjetër, Azem Sylën.

Në seancën e fundit të gjykimit ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve në rastin “Toka”, KALLXO.com ka vërejtur që gardiani i cili është kujdesur për sigurinë e Azem Sylës është Bashkim Dervisholli.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së EULEX-it, Dervisholli ishte pjesë e planeve për arratisjen e Lushtakut.

Ai dhe dy gardianë të tjerë akuzohen nuk e kishin zbatuar vendimin e Gjykatës që Lushtaku të dërgohej në Burgun e Mitrovicës së Veriut.

Arratisja e Lushtakut e Emëroi Thaqin Drejtor Burgu

Për më tepër, sipas aktakuzës, gardiani Bashkim Dervisholli kishte për obligim të ruante Ismet Haxhën që në atë kohë ishte në QKUK, prej nga edhe është arratisur.

Në përshkrimin e aktakuzës thuhet se gardiani Dervisholli nuk e kishte mbajtur Haxhën nën pranga, edhe pse e kishte obligim.

Siç vërehet në filmimet e realizuara nga KALLXO.com gjatë seancës së sotme, i akuzuari Azem Syla kur u soll në Gjykatë nuk ishte i prangosur.

Ndryshe nga Azem Syla, tre të akuzuarit e tjerë në këtë gjykim u sollën të prangosur.

KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin e Burgut të Sigurisë së Lartë, Rasim Selmani.

Ai ka thënë se nuk është i njoftuar për këtë ngjarje dhe situata të ngjashme duhet të evitohen.

“Nuk ish dashtë me ndodhë sepse janë gardian të tjerë që kanë mujtë me shiqu (Azem Sylën). Nuk është e mirë në njëfarë mënyre”, tha Selmani.

Ai ka shtuar se gardianët të cilët janë duke u përballë me aktakuza nuk do duhej të ishin pjesë e ruajtjes së të akuzuarve në gjykatore.