Foto: Kallxo.com

Gardianët protestojnë para Qeverisë për rroga më të larta

Të pakënaqur me trajtimin në kuadër të Ligjit për Pagat janë shprehur edhe punëtorët e të gjitha qendrave të Shërbimit Korrektues të Kosovës të cilët kanë protestuar para ndërtesës se Qeverisë së Kosovës.

Ata kanë kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi që të mos e dekretojë Ligjin e Pagave sepse, sipas tyre, ky ligj i ka harruar punëtoret e Shërbimit Korrektues në Kosovë.

Kryetari i sindikatës së shërbimit korrektues Zenun Sadikaj, tha që janë detyruar të protestojnë për shkak të injorimit që u është bërë.

“Na detyruan ata që na injoruan ata që harruan Shërbimin Korrektues që nuk figuron fare te Ligji për Paga. Jemi viktima të njerëzve te paditur ata që janë të ulur në kolltukë e nuk japin përgjegjësi për mos punën e tyre. Po thuhet se ministri nuk ka pranuar kërkesën tonë, nuk është e vërtete sepse kemi dëshmi që kryetari i BSPK-së e ka dorëzuar kërkesën. Ministër patet kërkuar që nëse stafi korrektues nuk do të jetë i barabartë ju nuk do ta votoni ligjin për paga”, tha ai.

Foto: Kallxo.com

Frashër Rraci nënkryetar i ShKK tregoi për rreziqet që i kanë si punëtorë.

“Koeficienti është shumë i ulët për në që punojmë në rrezikshmëri të lartë për jetën. Kërkesa tona janë: rritja e koeficientit, neni 8 shtesa të posaçme për oficerët si dhe kërkojmë nga presidenti që mos e nënshkruaj ligjin për pagat”, tha ai.

Përfaqësues të grevistëve kanë hyrë në një takim në ndërtesën e qeverisë me Sokol Zogajn, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj.

Foto: Kallxo.com