Mbledhja e qeverisë | Foto: Zyra e Kryeministrit

GAP-i Do më Pak Ministri

Në një komunikatë të këtij instituti që angazhohet për hartim të politikave, thuhet se përveç për zvogëlim të shpenzimeve, më pak ministri do të shkaktonin rritjen e efektshmërisë së ekzekutivit dhe eliminimin e barrierave burokratike.

Zvogëlimi nga 19 në 13 i numrit të ministrive në Kosovë dhe ulja e numrit të zëvendësministrave do ta kursente buxhetin për 3.6 milionë euro brenda një mandati, thuhet në hulumtimin “Rikontrukturimi i Qeverisë” të cilin Instituti GAP e kishe publikuar pas zgjedhjeve parlamentare në vitin 2014.

Sipas komunikatës, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) do të duhej të integrohej në Ministrinë e Administratës Publike, me ç ‘rast kjo do ta fuqizonte MAP-in dhe do të rriste efikasitetin, bashkëpunimin dhe bashkërendimin e agjendës brenda një ministrie për një administratë publike efektive dhe profesionale.

Gjithashtu kërkohet funksionimi i një ministrie të vetme për zhvillim ekonomik duke integruar Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Ministrinë e Financave (MF), Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) në një ministri të vetme.

“Shpërndarja e këtyre përgjegjësive në katër ministri të ndryshme nuk është treguar efikase dhe ka ndikuar negativisht në përqendrimin e qeverisë në këtë fushë. Shkrirja e katër ministrive në një ministri të vetme nuk nënkupton edhe shpërbërjen e strukturave profesionale të ministrive ekzistuese, por një bashkërendim me të mirë të agjendës në drejtim të zhvillimit ekonomik të Kosovës,” thuhet në komunikatë.

Sipas këtij njoftimi, hulumtimi i Institutit GAP parasheh shuarjen e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim (MKK), ku sipas tyre punët që kryen kjo ministri do të kryheshin nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në kuadër të Kryeministrisë dhe zyrave komunale për komunitete dhe kthim në nivel lokal.

Gjithashtu në hulumtimin e këtij instituti parashihet edhe shpërndarja e Ministrisë së Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).

“Qeveria ka obligim të kujdeset për qytetarët që jetojnë jashtë vendit, por krijimi i Ministrisë së Diasporës në vitin 2011 nuk përfaqëson mënyrën e vetme dhe të duhur për të trajtuar nevojat e qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit. Prandaj, Instituti GAP rekomandon që pjesa e madhe e kësaj ministrie (pjesa profesionale) të funksionojë në kuadër të një departamenti në kuadër të MPJ-së, derisa pjesët që kanë të bëjnë me politikat e arsimit dhe  kulturës, të kalojnë nën MASHT dhe MKRS,”  thuhet në komunikatë.

Bërjen bashkë të disa ministrive me qëllim të zvogëlimit të numrit të tyre e përmendi zëdhënësi i qeverisë Arban Abrashi, pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Kryesisë së LDK-së në lidhje me marrëveshjen e demarkacionit të zhvilluar më 12 korrik.

http://kallxo.com/demarkacioni-mbledh-urgjent-kryesine-e-ldk-se/

Por në lidhje me zvogëlimin e numrit të ministrive zyrtarë të PDK-së, partneres së LDK-së në koalicionin qeveritar, shfaqën mendime të kundërta për KALLXO.com. Zëvendëskryetari i PDK-së Enver Hoxhaj tha se strukturat partiake janë duke diskutuar për këtë gjë, ndërsa sekretari i kësaj partie Basri Musmurati mohoi se po diskutohet për reduktimin e kabinetit qeveritar.

http://kallxo.com/ldk-reduktim-te-ministrive-pdk-nuk-di-asgje/