Konferenca e GAP-it | Foto: KALLXO.com

GAP: Istogu, Prizreni e Drenasi më Transparentë për Buxhet

Instituti GAP në publikimin e raportit të transparencës buxhetore, i ka cilësuar Istogun, Prizrenin e Drenasin si komunat më transparente.

Ndërsa tri komunat e renditura të fundit në indeksin e transparencës buxhetore lokale janë: Novobërda, Parteshi dhe Kllokoti.

Sipas GAP-it, tri komunat e renditura më së keqi nuk kanë publikuar më shumë se tri dokumente.

GAP-i në hulumtim ka konstatuar se 81 për qind e qytetarëve të anketuar kanë thënë se nuk kanë marrë pjesë në dëgjimet publike komunale për çështje të ndryshme në 12 muajt e fundit.

GAP-i fton komunat që të nxisin qytetarët për të marrë pjesë në debatet publike.

“Komuna duhet të bëjnë më shumë për të nxitur pjesëmarrjen e qytetarëve. Disa nga mekanizmat që komunat mund të vënë më zbatim për të zgjuar interesimin e qytetarëve që të marrin pjesë në procesin buxhetor janë: fokus- grupet, takimet me komunitet, stimulimet buxhetore, anketat me qytetarë”, rekomandon GAP-i.

Sipas GAP-it, vetëm 52 për qind e të anketuarve janë të informuar se komunat duhet të organizojnë dëgjime lidhur me buxhetin.

GAP-i në Hulumtim konstaton se qytetarët janë më të informuar sa u përket burimeve të të hyrave komunale.