FSK realizon ushtrimin fushor ‘Shqiponja 6’ në mbështetje të aleatëve

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka realizuar ushtrimin fushor “Shqiponja 6” në koordinim të plotë me shtetet aleate dhe sipas standardeve më të larta të NATO-s.

Përpos trupave të FSK-së, pjesëmarrës në ushtrimin fushor “Shqiponja 6” kanë qenë edhe efektivët ushtarakë nga Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, ShBA-ja, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe KFOR-i.

Episodi i parë i emisioneve KALLXOForca, ka sjellë ‘Ditën D’, të këtij ushtrimi.

Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama ka thënë se ka dhënë urdhër që të bëhet ekzekutimi i ushtrimit fushor, aktivitet i parë me karakter ndërkombëtar në vend, me qëllim të vlerësimit të aftësive për të reaguar në situata komplekse, të emergjencës dhe sigurisë.

“Synimi im është ky, promovimi i bashkëpunimit dhe ndërveprimit të pjesëmarrësve në ushtrim, me qëllim të zhvillimit të aftësive për reagim të përbashkët ndaj krizave në të ardhmen. Trajnimi dhe ngritja e nivelit të tanishëm operacional të Forcës së Sigurisë së Kosovës për të operuar në situata komplekse dhe emergjente të cenimit të sigurisë”, ka theksuar komandant Rama.

Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama ka caktuar si përgjegjës për këto detyra, Gjeneral Naim Hazirin.

Që nga muaji shkurt i vitit 2017, pas tetë takimeve ndërkombëtare me shtetet aleate dhe me komandat e tyre ushtarake, Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme për të zhvilluar ushtrimin fushor të quajtur “Shqiponja 6”.

Ky ushtrim është vazhdimësi e operacioneve të viteve të kaluara dhe ka për qëllim adresimin dhe avancimin e mëtejmë të nevojave teknike dhe taktike të FSK-së të cilat janë identifikuar më herët.