FSK, ngjashëm me amerikanët, pajiset me ‘Humvee’

Ditë të veçantë për Ministrinë dhe për FSK-në e ka cilësuar ministri i MFSK-së, Rrustem Berisha, nënshkrimin e kontratës për blerjen e automjeteve multifunksionale ushtarake të lëvizshmërisë së lartë, HMMWV, nga Qeveria e Kosovës për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Furnizimi me automjete taktike, shtoi ministri Berisha, ndikon në avancimin e kapaciteteve operacionale të FSK-së dhe thellimin e bashkëpunimit me ShBA-në.

“Këto automjete të cilat po i prezantojmë sot janë modernizim i pajisjeve të cilat do te shërbejnë në përmbushjen e misionit të saj. Falënderoj ShBA-në për mbështetjen e pakursyer sidomos në kuadër të trajnimeve dhe pajisjeve”, theksoi ai.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se FSK po modernizohet me një teknikë multifunksionale.

“Dita ditës po tregohet se FSK po ngritet sipas standardeve të NATO-s”, shtoi Haradinaj.

Sipas kryeministrit Haradinaj FSK është një trupë profesionale gjithëpërfshirëse.

“Tranzicioni i FSK-së do të bëhet në bashkëpunim me aleatët tanë. FSK është e të gjithëve: shqiptarëve, serbëve, ashkalive, egjiptasve, është e të gjithëve. Qeveria i gëzohet faktit që FSK sot po pajiset me ketë teknologji të avancuar”, theksoi Haradinaj.

Ndërsa, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, falënderoi Qeverinë e Kosovës për përzgjedhjen e një kompanie amerikane ndërsa për automjetet tha se kanë performancë shumë të mirë.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, e cila u bë në kazermën “Adem Jashari”, ku u prezantuan tri automjete, të cilat janë gratis, ndërsa është paraparë blerja e 51 automjeteve të tilla.