FSK i Ofron Ndihmë Shqipërisë Për Vërshimet

Forca e Sigurisë së Kosovës është shprehur e gatshme të dërgojë trupat e veta të shpëtimit në Shqipëri për ta ndihmuar shtetin fqinj në përballjen e situatës emergjente të vërshimeve.

Pjesë të jugut të Shqipërisë janë përfshirë nga një valë vërshimesh si pasojë e motit të lig që ka mbretëruar ditëve të fundit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Ibrahim Shala, tha për KALLXO.com se kjo ministri i ka dërguar një shkresë zyrtare Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë dhe janë në pritje të një përgjigjeje.

“Ne nuk kemi ndonjë kërkesë zyrtare për ndihmë apo diçka të tillë nga Shqipëria. FSK ka dërguar një letër gatishmërie te Ministria e Mbrojtjes atje dhe nuk ka ende përgjigje. Kjo nënkupton se ne e kemi treguar gatishmërinë. Ata nuk kanë kthyer ndonjë përgjgije përveç një falenderimi”, u shpreh zëdhënësi Shala.