FSK do të vendoset edhe me një kamp të ri

Forca e Sigurisë së Kosovës ka rritur lokacionet e saja brenda Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës sot ka marrë vendim që t’i jap në shfrytëzim FSK-së edhe një pjesë të kampit Vrella, që gjendet në Komunën e Lipjanit, në afërsi të Aeroportit të Prishtinës, në mënyrë që ushtria e Kosovës t’i zgjeroj kapacitetet e saja.

Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha para kabinetit qeveritar kërkoi që një pjesë të këtij kampi ta marrë në shfrytëzim FSK, pasi që tashmë një pjesë është në shfrytëzim nga ana e Policisë së Kosovës.

“Me qëllim të krijimit të kushteve të favorshme për operim, vendosje të pajisjeve dhe sistemeve të FSK-së, Ministria e Mbrojtjes ka planifikuar të ketë në dispozicion edhe lokacione tjera, respektivisht hapësirën e kampit Vrella, e cila tani për tani, pjesërisht është në shfrytëzim të Policisë së Kosovës”, tha Berisha para kabinetit Qeveritar.

Ai tregoi edhe për nevojat që ky kamp do t’i përmbush për FSK-në.

“Zgjerimi i kapaciteteve të reja të infrastrukturës është paraparë edhe në programin e Qeverisë së Kosovës, kampi “Vrella”, do të në mundësoj ngritjen më të shpejtë të kapaciteteve në shërbime, për infrastrukturë, për rezerva, për nevoja të FSK-së dhe të Republikës së Kosovës”, tha ministri Berisha.

Kosova u bë më ushtri, më 14 dhjetor të vitit të kaluar pas miratimit të 3 ligjeve të FSK-së.