Shtylla - FOTO KALLXO

Fshatrat e Ferizajt mbesin pa rrymë prishja brenda kampit "Bonsteel"

Gjashtë fshatra të komunës së Ferizajt kanë mbetur pa rrymë gjatë tërë ditës së sotme, sipas një përfaqësuesi të tyre.

Xhevat Sallahi, anëtar i asamblesë komunale të Ferizajt, ka thënë për KALLXO.com se fshatrat Zllatar, Dardani, Sojevë. Mirosalë, Bibaj dhe Fshati Vjetër janë pa energji elektrike tash e më shumë se 17 orë si pasojë e rrjetit shumë të dobët elektrik.

Për çfarëdo prishjeje të motit, ndalet rryma sepse këputen përçuesit ose rrëzohet ndonjë shtyllë elektrike”, tha ai.

Sipas tij, mungesa e energjisë elektrike në këto fshatra po shkakton telashe edhe në furnizim të banorëve me ujë pasi nuk kanë as rrjet ujësjellësi.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në KEDS  zëdhënësi i kompanisë Viktor Buzhala ka thënë se arsyeja e prishjes janë disa defekte brenda kampit Bondstel.

“Është prishje. Atë e kanë lokalizuar ekipet e KEDS’it. Por, ajo prishje është brenda kampit Bonsteel dhe ju e dini që për shkaqe sigurie dhe në baze të rregullave ushtarake duhet kaluar disa procedura strikte. Kjo ështe arsyeja pse defekti nuk ka mundur të rregullohet dhe disa fshatra janë ende pa energji elejtrike” ka thënë Buzhala. Ai ka shtuar se energjia pritet të kthehet nesër në mëngjes.