Franca kthen 50 azilkërkues shqiptarë

Autoritetet franceze kanë riatdhesuar sot 50 shtetas shqiptarë, të cilët kishin kërkuar azil në Francë.

Shtetasit shqiptarë u kthyen me një aeroplan të posaçëm në aeroportin e Rinasit, i cili ishte nisur nga qyteti francez Metz.

Policia shqiptare dhe ajo franceze kishin marrë të gjitha masat që ky operacion të zhvillohej sa më mirë.

Operacioni i sotëm i riatdhesimit, i cili u zhvillua në bashkëpunim me Policinë franceze, kishte një veçanti pasi kthehen familjarë me të mitur dhe të gjithë të riatdhesuarit janë azilkërkues në Francë, të cilëve iu është refuzuar kërkesa për qëndrim.

Zëvendësministrja e Brendshme shqiptare, Rovena Voda, ka theksuar se çdo përpjekje për kërkim azili është e kotë, sepse Shqipëria është në listën e vendeve të sigurta, ndaj ajo ka bërë thirrje për të mos ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim, por të kërkojnë rrugë ligjore për t’u punësuar në vendet e BE-së.