Fotogaleri – Tubimi qendror për 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës

Për nder të shënimit të 20 vjetorit të çlirimit, në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë është mbajtur tubimi qendror i përvjetorit jubilar të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.

Mes dhjetëra pjesëmarrësish, qytetarët shprehnin entuziazmin e tyre që këtë vit përvjetori i çlirimit po shënohet me vizitën e ish-presidentit të SHBA-së, Bill Clinton dhe ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.

Ishte ish-presidenti amerikan Bill Clinton ai i cili nuk druajti të shfaqte dashurinë e madhe që ka për Kosovën.

“E dua këtë vend dhe gjithmonë do të jetë njëri nga nderet më të mëdha të jetës sime që kam ngritur me juve kundër spastrimit etnik dhe për liri. Jam shmë i lumtur që jam këtu, së bashku me shumë njerëz të cilit ishin pjesë  e asaj beteje, por posaçërisht me sekretaren e  shtetit Madeleine Albright”, tha ish-Presidenti amerikan.

Ndërkaq, ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, në qendër të Prishtinës, tha se ka kënaqësinë që është në Kosovë me të gjithë qytetarët dhe udhëheqësit vendor.

“Mburrem me ta gjitha që kemi bërë së bashku. Lufta në Kosovë ka qenë një përballje ndërmjet vrasjeve barbare dhe forcave të domosdoshme ndërmjet lirisë dhe demokracisë. Ne mbizotëruam sepse Aleanca jonë ishte e bashkuar dhe e fortë. Më e rëndësishmja ishte se ia dolëm, kauza jonë ishe e drejtë”, tha ajo.

Ndërkohë, në Prishtinë po mbahen edhe aktivitetet të tjera të 20 vjetorit të çlirimit.

Më poshtë u sjellim fotogalerinë e tubimit, te fotoreporterit të KALLXO.com, Atdhe Mulla.