Foto: Atdhe Mulla

Fotogaleri: Ekspozita kundër homofobisë

Dita ndërkombëtare kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë po shënohet me një ekspozitë në Sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

17 maji është dita kundër urrejtjes, frikës dhe averzionit ndaj personave që kanë tërheqje romantike apo seksuale ndaj gjinisë së njëjtë, personave që e identifikojnë veten me një gjini tjetër dhe  personave që kanë tërheqje ndaj të dyja gjinive.

Data është edhe përvjetori i 17 majit 1990 kur Organizata Botërore e Shëndetësisë e largoi homoseksualitetin nga Lista Ndërkombëtarë e Sëmundjeve.

Ekspozita paraqet fotografi të komenteve homofobe gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të Paradës së Parë të Krenarisë në Prishtinë.

Shumë nga këto komente paraqesin gjuhë të urrejtjes, gjë që është e ndaluar me ligj.

Pas hapjes së ekspozitës folën drejtori i CEL (Qendra për Barazi e Liri) Blert Morina, Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, ambasadori amerikan dhe ai suedez.

Morina tha se këtë vit organizatat që mbrojnë të drejtat e Komunitetit LGBTI kanë organizuar ekspozitë që synon “ta vë në pah gjuhën e urrejtjes dhe kërcënimet të cilat u drejtohen personave LGBTI nga shoqëria kosovare”.

“Bëjmë thirrje që të dënohet gjuha e urrejtjes dhe të merren masa ndaj çdokujt që rrezikon e kanos jetën e çdo individi”, shtoi ai.

Ndërsa, Apostolova e ritheksoi mbështetjen e BE-së në luftimin e homofobisë.

“Bashkimi Europian, të cilin e përfaqësoj këtu në Kosovë,  e konfirmon përsëri mbështetjen e plotë në luftën kundër të gjitha formave të diskriminimit, që bazohen në urrejtje të bazuar në orientim seksual, në identitet gjinor dhe karakteristikat (biologjike) të seksit. Do të vazhdojmë t’i promovojmë dhe mbështesim organizatat ekzistuese të LGBTI në Kosovë”, tha shefja e Zyrës së BE-së.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara Greg Delawie, duke deklaruar se diskriminimi i tillë paraqet shkelje themelore të të drejtave të njeriut, shtoi se e mbështet ndjekjen penale të kryesve.

“Fuqimisht e mbështesim hetimin dhe ndjekjen penale këtij lloji të ngacmimit dhe dhunës siç shprehet në Ligjin Kundër Diskriminimit në Kosovë”, u shpreh ai.

Në fotografitë e Atdhe Mullës shihen aktivitetet në ditën kundër homofobisë.

 

KALLXO.com shkroi për Paradën Krenarisë të zhvilluar në Prishtinë të zhvilluar në tetorin e 2017-ës.