FOTO - Thaçi me uniformë ushtarake u flet pjesëtarëve të FSK-së për misionin e ri

Për herë të parë qëkur e ka hequr nga trupi uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është paraqitur sot në uniformë ushtarake, me atë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gjatë një inspektimi që i ka bërë trupave të FSK-së në kazermën “Adem Jashari”, Presidenti Thaçi, si komandant i forcave të armatosura, ka veshur në pjesën e epërme të trupit një uniformë ushtarake dhe ka nderuar trupat e FSK-së që janë rreshtuar për ta pritur atë.

Kjo është bërë një ditë para se Kuvendi i Kosovës të mblidhet për t’i votuar tri ligjet të cilat do t’i rrisin kompetencat e FSK-së.

Thaçi u tha pjesëtarëve të FSK-së se nga ky muaj, ata do të kenë mandat dhe mision të ri.

Ai u foli atyre edhe për historikun që solli në krijimin e FSK-së.

Presidenti Hashim Thaçi rreshton FSK-në

“Populli ynë e krijoi ushtrinë para se ta fitojë lirinë, pavarësinë dhe shtetin…. ishte një proces me hapa të ngadaltë dhe të mundimshëm, por i sigurt”, tha ai duke iu referuar krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila nisi rezistencën e armatosur ndaj forcave serbe më shumë se 20 vjet më parë.

“Pesë vite më parë, gjatë procesit të rishikimit të sektorit të sigurisë, me të drejtë u arrit në përfundim se FSK është e gatshme për rol dhe mision të ri”, tha Thaçi.

“Për qytetarët dhe institucionet e Kosovës, ju gjithmonë keni qenë de faco ushtarë dhe FSK-ja ushtri e Kosovës”, shtoi ai.

“Kuvendi i Kosovës në mënyrë solemne do ta nxjerrë vendimin për këtë proces por sot, nesër dhe gjithmonë, populli i Kosovës shikon kah ju dhe ju thotë falemnderit dhe urime për ushtrinë  Kosovës”, tha ai.

Thaçi tha se FSK është zhvilluar në një forcë profesionale, multietnike, me standarde të NATO-së dhe përfaqësim meritor gjinor.

“I siguroj të gjitha komunitetet në Kosovë, veçanërisht komunitetin serb, se FSK do të vazhdojë t’u shërbejë të gjithë qytetarëve, pa dallime etnike”, premtoi Thaçi.

“Si President dhe Komandant Suprem i Ushtrisë së Kosovës, jam krenar për sukseset tuaja”, tha ai.