(FOTO) Malishevë, dëmtohet asfalti dy javë pas shtrimit

Ende pa u mbushur një muaj që kur është asfaltuar rruga që lidh fshatin Dragobil me fshatin Gurbardhë të Malishevës, ajo është dëmtuar.

Rruga që lidh dy fshatrat e Malishevës ishte asfaltuar në fillim të muajit prill por që pas dy jave, për shkak të përkeqësimit të gjendjes, kompania kontraktuese është detyruar që të intervenojë prapë në një pjesë të segmentit.

Por, gjendja edhe pas intervenimit sipas banorëve nuk është më e mira e mundshme.

Endrit Mazreku, banor i kësaj ane, tha  për KALLXO.com se kjo rrugë është asfaltuar më 3 prill të këtij viti, duke shtuar se pas dy jave është dashur të intervenohet në sanimin e një pjesë të segmentit.

Ai thotë se kjo ka ndodhur për shkak të cilësisë së dobët të punimeve.

“Më datë 03.04.2019 është bërë asfaltimi i rrugës e cila lidh lagjen Pallanka të fshatit Dragobil me fshatin Gurbardhë të Malishevës dhe pas dy jave është dashtë të intervenohet për sanimin e një pjese të atij segmenti, kjo për shkak të cilësisë së dobët të punimeve”, u shpreh ai duke thënë se kur e kishte parë gjendjen e rrugës i është dukur e pabesueshme.

Lidhur më ketë rast, KALLXO.com ka kontaktuar me Komunën e Malishevës.

Zëdhënësi i Komunës së Malishevës, Artan Paqarizi, thotë se rruga është dëmtuar si pasojë e lëvizjes së trasesë të cilën e kishte kërkuar një banor.

Gjithashtu, ai shton se ka ndikuar edhe lëvizja e automjeteve të rënda menjëherë pasi që ishte shtruar asfalti.

“Rruga është dëmtuar si pasojë e lëvizjes së trasesë, pak para asfaltimit, e lëvizja e trasesë është rezultat i një problemi pronësor. Sidoqoftë, kompania është informuar dhe ka filluar sanimin e asaj pjese, është larguar pjesa e dëmtuar, është rindërtuar baza dhe tani është në pritje të asfaltimit, i cili bëhet pasi të vërtetohet se baza ka qëndruar mjaftueshëm për asfaltim”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Malishevës.

Këto janë fotografitë e qytetarit që ka dërguar në redaksinë e KALLXO.com