FOTO: Fëmijët dhe gratë e kthyera nga Siria shijojnë rrezet e diellit

Fëmijët dhe gratë e kthyera nga Siria kanë shijuar sot rrezet e diellit.

Në kampin e Vranidollit, ku po qëndrojnë që nga nata kur u kthyen nga Siria, fëmijët janë parë duke luajtur.

Aty vërehen vajza të vogla të mbuluara me ferexhe dhe nëna të mbuluara me burka të zeza.

Familjaret jashtë rrethojave kanë shfrytëzuar momente të rralla pa gazetarë për t’i thirrur dhe parë nga larg të afërmit.

Të tjerë janë parë duke çuar gjëra të vogla për familjaret e tyre.

Kampi vazhdon të jetë i blinduar nga forcat e policisë dhe hyrja në të është e ndaluar.

 

Mbrëmjen e së premtës (19 prill) rreth orës 22:00, forca të shumta policore nga Njësia Speciale kishin rrethuar Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, ku mes tyre ishin vendosur autoambulanca dhe autobusë.

Ekipi i KALLXO.com kishte mësuar se po bëhej riatdhesimi i shtetasve të Kosovës të cilët deri tani gjendeshin në Siri.

Pas aterimit të aeroplanit që vinte nga Turqia në Prishtinë, rreth orës 01:25 ekipi i KALLXO.com ka qëndruar edhe në Qendrën e Azilkërkuesve në Vranidoll, i cili është fshat në përiferi në Prishtinës, ku ishin vënë masa të rrepta të sigurisë.

Pjesëtarë të Njësive Speciale të policisë, ishin armatosur rëndë dhe po kujdeseshin për sigurinë e këtij objekti ndërkohë që pritej që autobusët të sillnin gratë dhë fëmijët e rikthyer nga Siria.

Ndërkohë, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri u ishte drejtuar mediave rreth orës 01:30 të së shtunës për t’i njoftuar se operacioni i kthimit të disa qytetarëve kosovarë nga Siria kishte përfunduar me sukses.

“Nuk mund të jap asnjë detaj më shumë. Mund të konfirmoj se ky operacion tashmë ka përfunduar sipas planit, ashtu siç ka qenë e planifikuar muaj”, ka deklaruar Tahiri mbrëmë.

KALLXO.com kishte vazhduar të sjellë video dhe fotografi ekskluzive nga ky operacion.

Për katër orë rresht, të rikthyerit kanë qëndruar brenda hapësirës së Aeroportit, më saktësisht në zonën VIP.

Rreth orës 02:43, autobusët ishin nisur nga Aeroporti i Prishtinës drejtë Qendrës së Azilkërkuesve në Vranidoll.

Autobusët mbërritën në këtë qendër dhe filloi akomodimi i grave të veshura me burka dhe fëmijëve, të cilat u shoqëruan brenda qendrës rreth orës 04:00 të mëngjesit.

Të shtunën në orën 10:00 të mëngjesit, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri përmes një konference për media bëri të ditur se janë riatdhesuar 110 kosovarë, ku mes tyre ishin 4 luftëtarë burra, 32 gra dhe 74 fëmijë.

“Sot në orët e para të mëngjesit është zhvilluar një operacion sensitiv, ku Kosova ka kthyer 110 qytetarë që ishin në zonat e luftës.Tani jemi duke u marrë për t’i kthyer prapa edhe atë që kanë qenë në vatrat e luftës. Nga tetori i vitit të kaluar kam qenë i ngarkuar për ta udhëhequr task-forcën. Qëllimi ynë ka qenë të sigurojmë që qytetarët tanë të mos marrin pjesë në luftëra të huaja”, ka deklaruar Tahiri tha ai të shtunën.

Rashit Qalaj, drejtor i Policisë së Kosovës deklaroi se personat që dyshohet se  ishin pjesë e luftës, do të dalin para drejtësisë ndërsa të tjerët do të rehabilitohen.

“Janë kthyer 110 shtetas kosovarë, 4 luftëtarë 32 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë 9 fëmijë që kanë humbur prindërit në luftë. Të gjithë personat që kanë kryer vepra penale do të dalin para drejtësisë ndërsa të tjerëve do t’u ofrohet rehabilitim. Policia ka arrestuar katër luftëtarët”, tha ai.

Në anën tjetër edhe Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Naser Ramadani tha se do të bëhet një kontroll i përgjithshëm tek gratë dhe fëmijët për ndonjë sëmundje eventuale.

“Ju informoj se për arsye të ruajtjes së shëndetit publik, ekipi i mjekëve do të bëjë kontrollin shëndetësor. Rekomandojmë që këta persona pa presion publik apo medial t’iu lejohet integrimi”, ka thënë Ramadani.

Ndërkohë, KALLXO.com ka siguruar fotografi nga Qendra e Azilkërkuesve në Vranidoll.

Prokuroria Speciale e Kosovës, në konferencën që e mbajti në orën 12:30, ka bërë të ditur se janë arrestuar katër burra të rikthyer nga Siriadhe se janë duke u hetuar edhe 156 persona të dyshuar, se kanë kryer veprën penale ‘pjesëmarrja në grupe të organizuara për kryerjen e veprave penale terroriste’ dhe ‘pjesëmarrja në formacione dhe luftëra jashtë territorit të Republikës së Kosovës’.

Është bërë e ditur se ndëshkueshmëria për kryerjen e këtyre veprave penale, varion nga tre vjet deri në 15 vite burgim.

Tutje KALLXO.com ka mësuar se katër të arrestuarit R.T, A.M, A. K dhe V.Q. janë dërguar në Burgun e Sigurisë se Lartë, atë të Dyzit derisa prokuroria të kërkojë një masë të sigurisë për ta.

Të shtunën gjatë konferencës për media të thirrur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, lidhur me kthimin e mbrëmshëm të shtetasve kosovarë nga Siria, prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha kishte thënë se për katër të arrestuarit, ka qenë në fuqi masa e urdhërarrestit.

“Ndaj këtyre personave të cilët i kemi ndër hetime, në momentin që ndalohen apo arrestohen nga policia do të sillen në prokurori.”, ka deklaruar prokurori Hoxha.

I pyetur se kur kanë filluar hetimet për këta persona, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka thënë se ‘ne më herët kemi filluar hetimet ndaj tyre, pas marrjes së informacioneve nga Policia e Kosovës se ata kanë marrë pjesë në grupe terroriste jashtë territorit të Kosovës’.

Lumezi ka thënë se deri tani, për 119 persona kanë ngritur akte akuzuese, ndërsa për 156 të tjerë kanë filluar hetimet.

“Për 156 persona të tjerë, jemi në fazën e hetimeve dhe tash pas marrjes së informacioneve dhe marrjes së emrave nga Policia e Kosovës, për personat të cilët janë të riatdhesuar, nëse ka edhe dikush tjetër për të cilin kemi nxjerrur aktvendim për fillimin e hetimeve, sigurisht se edhe ata do t’i procedojmë në procedurë penale.”, ka deklaruar kryeprokurori Lumezi.

KALLXO.com ka mësuar se për të miturin R.T. i kthyer mbrëmë nga Siria, është caktuar masa e paraburgimit për shkak të dyshimeve për pjesëmarrjen e tij në konflikt në Siri.

Gjykata ka vendosur kështu pas kërkesës së Prokurorisë Speciale për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Bashkimi ose pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë  e huaj, formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës të paraparë”.

Megjithëse 110 shtetas kosovarë janë kthyer të premten nga Siria, mbi 80 të tjerë vazhdojnë të jenë në zonat e konfliktit.

Sipas të dhënave, në Siri vazhdojnë të jenë rreth 30 luftëtarë, 49 fëmijë dhe tetë gra.

21 Prill 2019 - 18:45

Kreshnik Gashi 21/04/2019 - 18:45
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend