Forenzika pranon pajisje si donacion për kontrollin e armëve të vogla

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në bashkëpunim me Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, i ka dorëzuar Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Forenzikës pajisje për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta.

Në dorëzimin e këtij donacioni ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, i cili tha se përdorimi i armëve të zjarrit është brengosës.

“Jam i lumtur që jap kontributin në sektorin e armëve të vogla. Qeveria ime është shumë e angazhuar në sektorin e armëve, duke parë mënyrat e bashkëpunimit që nga fillimi i vitit së bashku me Francën kanë bërë një bashkëpunim për një kontroll të armëve të vogla dhe Kosova i përket këtij bashkëpunimi. Mendoj që të gjithë e ndajmë interesin e përbashkët që të bëjmë më shumë në këtë fushë, sepse përdorimi i armëve të zjarrit është një brengë në Gjermani, në Francë por edhe në Kosovë”, u shpreh Ambasadori.

Ndërsa Alessandra Roccasalvo, përfaqësuese nga UNDP tha se Kosova jep çdo ditë kontribut në pjesën balistike.

“Kosova po kontribuon çdo ditë me informacione dhe inteligjencë. Pjesa balistike është diçka që në Kosovë është më e theksuara, Kosova ka qenë këtu e para”, tha Roccasalvo.

Blerim Olluri, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë Kosovare të Forenzikës, tha se donacioni u ndihmon që ekspertizat e tyre të kenë kredibilitet ashtu siç kërkohet nga BE-ja.

Olluri tregoi se donacioni i sotëm përmban edhe pajisje për matjen e shpejtësisë së plumbave.

“Donacioni të cilin po e pranojmë sot përmban pajisje për matjen e shpejtësisë së plumbave të shkrepur, ekzaminimi i armëve të ridizajnuara apo atyre artizanale… pajisje për mullazhim, klonim të gëzhojave dhe plumbave për të krijuar standarde me qëllim të krahasimit ndërlaboratorik me shtetet fqinje në rajon dhe shtetet europiane”, tha Olluri.

Ndërsa Zëvendësdrejtori për Burime në Policinë e Kosovës, Dejan Jankoviq, tha se Kosova është shembulli i parë në regjion në përmbushjen e planit të veprimit mes BE-së dhe Europës Juglindore.

“Kosova është shembulli i parë në regjion në përmbushjen e planit të veprimit mes BE-së dhe Europës Juglindore… Policia e Kosovës është e angazhuar në krijimin e një ambienti të sigurt dhe në parandalimin e trafikimit me armë”, tha Jankoviq.