Fondi për të Drejtën Humanitare: Rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë, pa efekt juridik

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK), ka reaguar ndaj miratimit të rezolutës për gjenocidin serb në Kosovë, duke e cilësuar si të pavend dhe pa efekt juridik.

Në reagimin e tyre thuhet se kanë vendosur të shprehin pakënaqësinë, për miratimin e kësaj rezolute nga 79 deputetë të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se institucioni më i lartë ligjdhënës, duhet të ishte shumë i kujdesshëm në kualifikimet juridike.

“Përderisa edhe 20 vite pas përfundimit të konfliktit të armatosur në Kosovë ende nuk ka një aktgjykim nga ndonjë gjykatë, ndërkombëtare apo vendore, e cila i cilëson krimet e kryera në Kosovë si gjenocid, atëherë ky term nuk do duhej të përdorej në këtë rezolutë.”, është thënë në reagim.

Gjithashtu FDH-Kosovë, rikujton se Tribunali Penal Ndërkombëtarë për ish-Jugosllavinë, në aktgjykimet ndaj gjashtë zyrtarëve më të lartë të Serbisë për krimet e kryera në Kosovë, ka konstatuar se ata kanë kryer krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës.

Mirëpo sipas tyre, askund nuk është konstatuar ekzistimi i gjenocidit dhe se jo të gjitha krimet e listuara në tekstin e rezolutës, janë të mbështetura në prova dhe fakte.

“Para se të nxjerrë një rezolutë të tillë, Kuvendi i Kosovës do duhej që të verifikonte në mënyrë të detajuar të gjitha supozimet për krime të listuara në dokument. Nëse rezoluta përmban informata arbitrare atëherë e tërë rezoluta është e diskredituar. Siç është e ditur rezolutat nuk janë akte ligjërisht të detyrueshme prandaj kjo rezolutë në fakt nuk do të ndikojë në realizimin e të drejtave të viktimave në drejtësi, reparacion apo në gjetjen e së vërtetës.”, thuhet tutje në reagim.

Në anën tjetër, një rezolutë e tillë mund të krijojë iluzion tek qytetarët se po punohet në trajtimin e së kaluarës, e që më vonë do shndërrohet në zhgënjim, është thënë më tej.

Andaj sipas FDH-Kosovë, kjo nismë e nxituar dhe e pamenduar mirë, ka ndikuar që deputetja Flora Brovina, në tentim që të merr përkrahje sa më të madhe për këtë rezolutë, të përdorë pamje vizuale të papërshtatshme për ekspozim publik, e që rezultoi të mos jetë provë për krime në Kosovë.

“Përdorja e mjeteve vizuale për kauza të ndryshme në Kuvend është e papranueshme. Në vend që të parashtrojë kushte për shtetin e Serbisë Kuvendi i Kosovës do duhej që, së bashku me institucionet tjera, të kërkojë vendosjen e një bashkëpunimi me Serbinë në mënyrë që të intensifikohet ndjekja penale e kryerësve të krimeve dhe të konstatohen dhe vërtetohen faktet mbi krimet e luftës dhe ato kundër njerëzimit të kryera në Kosovë.”, është shkruar në fund të reagimit nga Fondi për të Drejtën Humanitare-Kosovë.