Drita Hajdari, prokurore Speciale. Foto: Kallxo.com

Flora Brovina i ndërron fjalët në Prokurori (VIDEO)

Deputetja e PDK-së, Flora Brovina, duket se i ka ndërruar fjalët në prokurori gjatë marrjes në pyetje rreth fotografisë së publikuar të enjten për të cilën pretendonte se paraqet një grua shqiptare të Kosovës duke u dhunuar nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Prokurorja Speciale, Drita Hajdari, e cila e ka intervistuar sot deputeten në cilësinë e dëshmitares, tha se Brovina e ka pranuar se nuk e ka raportuar këtë fotografi më herët në Prokurori dhe se nuk ëhstë në dijeni për identitetin e viktimës në fotografi, përderisa dje e kishte thënë të kundërtën.

“E kam pyet a din për identitetin e viktimës, ka thën që jo, nuk e din. Ia kam përkujtuar dje ka thënë se foton po e publikon me pëlqimin e viktimës dhe familjarëve, më ka thënë se kjo nuk qëndron dhe se ajo ka konsideruar, me vet faktin që i beson fotos, se e ka pëlqimin e viktimës dhe familjarëve të saj. Ajo nuk e ka kontaktuar viktimën”, tha Hajdari.

Prokurorja Speciale tha se Flora Brovina nuk ka pasur me vete fotografinë gjatë intervistimit.

Ajo tha se do të merret në pyetje edhe një aktiviste nga Gjakova, për të cilën Brovina ka thënë se i ka dhënë një zarf në të cilin gjendej fotografia.

Fjala është për ish deputeten e LDK-së, Mevlyde Saraçi.

Hajdari nuk ka precizuar nëse Brovina mund të ndiqet për kallëzim të rremë nga ana e Prokurorisë.

“Intervistimi i zonës Brovina është vetëm një akt hetimor, neve na mbeten edhe disa veprime hetimore për të dalë me një rezultat përfundimtar. Për gjithçka që do të ndërmarrim dhe për gjithçka që rezulton nga hetimi ne do të ju informojmë me kohë”, tha Hajdari.