Flet i Plagosuri Para Gjykatës në Gjakovë

Sylë Shala nga Lipoveci rrëfeu se si u plagos sot para objektit të Gjykatës Themelore në Gjakovë.

Ai tregoi se bashkë me ata që thotë se e plagosën ishte në gjykatë, para se të qëllohej. Gjykata po shqyrtonte plagosjen e një personi nga vetë Sylë Shala para gjashtë muajsh.

Sot kem pasë seancë gjyqësore me Haxhi Gjugjajn. M’ka ndodhë ni rast me të para gjashtë muajve. Na ka ndodhë gjithçka pahiri edhe na e ka falë me burra e çdokënd. Ka ndodhë me armë zjarri plagesa në kambë të atina edhe ma ka falë me burra krejt komplet edhe në seancë, edhe krejt,” tha Sylë Shala.

Edhe KALLXO.com shkroi gjatë ditës se plagosja në Gjakovë ndodhi pas një seance për shkaktim të lëndimit të rëndë trupor dhe armëmbajtje pa leje.

Shala rrëfeu më pas se si nisi ngjarja që përfundoi me plagosje.

“Tu dalë prej seance [Haxhi Gjugjaj] dul nja tre minuta para meje prej gjykate. Unë isha me babën edhe me djalë të vëllait nëntë vjeç. Edhe dulëm shkallëve të gjykatës, dy vllazën i kam pa të tina që ishin kanë në kafe tu prit. Edhe me atë turr kanë dalë, unë e kam ditë që dojnë me ba diçka,” tha Shala.

Ai tregoi edhe çfarë i kujtohej deri në momentin kur u plagos.

“I kanë nxjerrë armët, e kam shty djalin e vëllait mos me kap edhe m’i ka zanë dy kambët.  Plumbi ma ka kapë kambën e djathë më ka dalë në kambë të majtë mrena ma ka thy ashtin e kamës. Edhe qashtu me kamë të thyme jam munu, nja dy laka i kam ba me kamë të thyme, jam pshtet te kerri i babës, jam hy si nër kerr. Ishin kanë policia shumë afër, e kanë lshu alarmin menjëherë edhe i kanë nxjerr armët në drejtim të tyne,” tha Syla.

Masar Vula, mbrojtësi i Ramadan Gjugjajt, njërit nga të ndaluarit nga policia, tha se plagosja ndodhi për shkak të sjelljeve jo të mira të familjes së të plagosurit.

“Provokimi dhe sjelljet jo të mira kanë shti që të ndodhë kjo që ka ndodhë pasi që para 5 muajsh këto dy familje kanë pasur një rast tjetër të plagosjes. Familja e klientit që unë e mbroj ja kanë falur, por provokimi ka shti,” tha Vula.

Sylë Shala tha se persona të panjohur e dërguan në Spitalin “Isa Grezda” të Gjakovës.

“Qikaq di. Është nalë ni xhip, është nalë kolona e kerreve dhe kalimtarëve të rastit edhe një katër-pesë burra m’kanë kapë, m’kanë sshti në xhip edhe më kanë pru deri këtu,” përfundoi Syla.

Sipas komunikatës së policisë për këtë plagosje janë arrestuar tre persona.