Astrit Haraqija gjatë gjykimit | Foto: KALLXO.com

Flet Avokati i Haraqisë për Lëndën e Parashkruar

Mbrojtësi i Astrit Haraqisë, avokati Teki Bokshi, parashkrimin e veprave penale për klientin tij siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, e konsideron një dëm të madh.

Sipas Bokshit, me vjetërsimin e veprave penale për Haraqinë i është pamundësuar gjykatës që të marr një vendim meritor, pasi që dënimi që ka shqiptuar gjykata themelore sipas tij nuk ka qenë vendim i drejtë.

Ndjekja penale për Haraqinë i cili në cilësinë e ministrit të Kulturës akuzohej për shpërdorim detyre pushoi në janar të këtij viti, pasi lënda e tij u vjetërsua.

Siç dihet bashkë me Haraqinë të gjykuar në këtë çështje janë edhe ish-ministri  i Kulturës, Valton Beqiri, Nehat Fejza pronar i kompanisë “Concordia Pictures” dhe Armond Morina, pronar i kompanisë “Morina Films”.

Sipas aktakuzës Astrit Haraqija, në kohën kur ishte ministër i kulturës në vitet 2006-2007, kishte lidhur kontrata të kundërligjshme për financimin e dy projekteve filmike. Po sipas aktakuzës, dëmi që i ishte shkaktuar buxhetit me kontratat në fjalë ishte rreth 300 mijë euro.

Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte shpallur fajtorë dhe lënda ishte kthyer në rivendosje nga Apeli. Por sërish gjykata i shpalli fajtorë në dhjetor të vitit 2016 dhe i kishte dënuar me nga një vit me burgim katër të akuzuarit.

Bokshiavokati i Astrit Haraqisë tha në “Drejtësia në Kosovë” se i tërë procesi ka qenë vetëm për të arsyetuar punën e tyre gjykata dhe prokuroria se po punohet në lëndët e korrupsionit ku janë të përfshirë zyrtarë të lartë.

Hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë” tregoi se Gjykata Themelore e Prishtinës dhe ajo e Apelit për 5 vjet nuk arritën të nxirrnin një vendim për këtë çështje, duke lejuar kështu që lënda ndaj Haraqisë të endej herë në njërën e herë në tjetrën ndërtesë, pa një vendim përfundimtar.

Emisionin për vjetërsimin e lëndës së Astrit Haraqisë mund ta ndiqni në këtë link.

KALLXO.com vazhdimisht ka ndjekur procesin gjyqësor ndaj dy sih-ministrave të kulturës dhe dy producentëve filmikë.

http://kallxo.com/ish-ministrat-perseri-denohen-kusht/