Flasin Partitë Politike; A Duhet të Hiqet Balotazhi?

Tre nga katër partitë kryesore në vend, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, konsiderojnë që balotazhi në zgjedhjet lokale do duhej të eliminohet.

Përfaqësues të partive më të mëdha politike në vend kanë dhënë qëndrimet e tyre lidhur me raundin e dytë të votimit për zgjedhjet lokale.

Të ftuar në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje analizuan benefitet dhe dëmet që shkaktohen nga balotazhet në zgjedhjet lokale.

Besnik Tahiri, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u shpreh kundër mbajtjes së balotazhit për shkak se sipas tij është i dëmshëm në disa aspekte.

“Unë mendoj që balotazhi, prezenca e balotazhit i ka do elemente të mira por i ka edhe disa shumë të këqija. Në fund të ditës unë jam për me hjekë. I kam dy probleme, e para është që kanë me u myt partitë e vogla…problem im me balotazhin është se krejt është matematikë, krejt kalkulim”, tha Tahiri.

Arben Gashi, nga LDK po ashtu konsideron se balotazhi paraqet lodhje të panevojshme të qytetarëve.

“Balotazhi është një angazhim i tepruar, i panevojshëm dhe do duhej të konsiderohej heqja e tij. Qytetarin e nxerrim dy herë me marrë vendim për të njejtën gjë. I detyron partitë apo kandidatët e pavarur për me nxjerrë kandidatin më të mirë të mundshëm”, tha Gashi.

Ndërkaq Blerta Deliu nga PDK përmendi edhe koston financiare që sipas saj është e panevojshme për raundin e dytë.

“Nuk është përfaqësim qytetar, sa është kombinatorikë. Është proces i tejzgjatur…Raundi i dytë është edhe kosto financiare, qytetari duhet të vendosë në raund të parë se kënd do ta votojë dhe t’ia jap mbështetjen e tij”, tha Deliu.

Ndryshe nga të gjithë partitë e tjera, Dardan Molliqaj nga LVV konsideron se heqja e balotazhit do të paraqiste jo legjitimitet të zgjedhjes së kryetarëve të komunave.

“Balotazhi është shumë i domosdoshëm. Së pari ka problem me legjitimitetin nëse e heqim balotazhin. Së pari e kemi gjysmën e votuesve që dalin, pastaj e kemi 30 e asaj gjysme. Do të thotë dikund mbi 15 përqind e njerëzve me drejtë vote e zgjedhin Kryetarin e Komunës. Pazaret rriten nëse hiqet balotazhi”, tha Molliqaj.

Emisionin e plotë “Jeta në Kosovë mund ta ndiqni në linkun  e mëposhtëm: