Flamujt që tregojnë vendin e origjinës të produkteve - Foto: KALLXO.com

Flamujt e origjinës së produkteve nuk mund të vendosen më në bazë të  barkodit

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka ndryshuar sot Udhëzimin Administrativ për  vendosjen e flamujve, ndryshim ky i cili nuk lejon më që produktet që shiten nëpër markete t’i vendosin flamujt në bazë të barkodit, por ne bazë të vendit të origjinës .

Kjo për shkak se ka raste kur flamuri i origjinës është përcaktuar në bazë të barkodit, por që nuk ka qenë në përputhje me vendin e origjinës se ku është prodhuar ai produkt.

Sipas njoftimit të ministrisë kjo ka ardhur pas ankesave nga ana e konsumatorëve, mediave dhe institucioneve tjera relevante të Republikës së Kosovës, sepse ka pasur paqartësi tek origjina e produktit dhe vendosja e flamujve pranë produktit.

“Ky plotësim ndryshim i Udhëzimit Administrativ u bë për ta qartësuar dhe eliminuar çdo mundësi të manipulimit me vendosjen flamujve afër çmimit të produktit”, thuhet në njoftim.