Pamje nga seanca e gjykimit të Milot Vokshit dhe Xhavit Dakajt – Foto: KALLXO.com

Fjalosje mes të Akuzuarit dhe Ekspertit Pas Seancës

Në gjykimin ku Milot Vokshi, si sekretari i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe Xhavit Dakaj, si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), po akuzohen për keqpërdorim detyre pati fjalosje pas seancës.

Deri tek fjalosja erdhi për shkak të ekspertizës së njërit prej ekspertëve financiar, i cili kishte përpiluar një ekspertizë financiare lidhur me këtë rast.

Pas përfundimit të seancës, i akuzuari Milot Vokshi, iu drejtua ekspertit Dibran Jashari me disa akuzime.

“Ti me këto deklaratat tua, me këtë raport tëndin, që e ki bo që 3 vjet je ka na len mu sjellë e nuk e din cila është bruto e cila neto”, iu drejtuar i akuzuari dëshmitarit.

E këtyre fjalëve, eksperti Jashari iu përgjigj me një fjalë ofenduese, duke e quajtur “picimul”.

“Picimul je ti për punën time, ti po më kallxon mu. Ka kush e vlerëson. Duhet me i ardhë marre atij që ka vjedhë”, tha eksperti Jashari.

Po ashtu, avokati i Milot Vokshit, Teki Bokshi, tha se beson se do të ushtrojë kallëzim penal ndaj ekspertit, për shkak të të dhënave kontradiktore gjatë dëshmisë së tij në gjykatore.

I pyetur se a do të raportojë për këtë fjalosje, avokati i Vokshit, Teki Bokshi tha “jo pasi që nuk ka qenë serioze”.

KALLXO.com ka kontaktuar përmes telefonit edhe me prokurorin Faik Halili i cili ishte prezent në Gjykatore.

“Unë vetëm kam dëgjuar zhurmë dhe kam shkuar e kam kapur nga krahu ekspertin (Dibran Jashari), e kam nxjerrë nga salla dhe e kam dërguar për të nënshkruar procesverbalin”, tha Halili.

Dibran Jashari po ashtu u kontaktua nga KALLXO.com nuk ka kontestuar fjalosjen por ka thënë se nuk është i interesuar të hapë ndonjë procedurë.“Jo, a i pëlqen atij a si pëlqen, ajo (ekspertiza) ka qenë një punë e imja profesionale. Unë jam i hapur për farë do paqartësie që kanë”, tha Jashari.

Për shkak të kontradiktave në mes të ekspertëve financiar, trupi gjykues mori vendim që të bëhet një super ekspertizë.

Si rrjedhojë, seanca e radhës nuk u caktua deri në përcaktimin e ekspertëve të cilët do të bëjnë super ekspertizën.

Rrjedha e Procesit 

Paraprakisht, eksperti Jashari tha se operatori ekonomik i kontraktuar nga Gjykata Kushtetuese për furnizimin me material zyrtar, prodhimin e ka marrë nga një kompani e tretë, gjë e cila sipas tij nuk është në rregull, me arsyetimin se në treg paska ekzistuar një operator edhe më i lirë.

Por paqartësitë lindën kur avokati mbrojtës e ballafaqoi ekspertin me një deklaratë të tij të vitit 2016 të dhënë trupit gjykues të kaluar, pasi kjo çështje është kthyer në rigjykim.

“Në deklaratën e tij të dhënë para tjetrit trup gjykues më datën 08.09.2016 ky ekspert ka deklaruar se kjo kompani ishte më e lira. Si ndodh që MAShT- i është dëmtuar atëherë?”, ishte pyetja e avokatit.

Por, eksperti mohoi të ketë deklaruar ashtu, duke shtuar se “çdoherë jam mbështetur në ekspertizat të cilat i kam dhënë në shkrim”.

Për shkak të kësaj kontradikte në mes të fjalëve të tij të sotme dhe fjalëve të tij të thëna në gjykatë në vitin 2016, avokati pati vërejtje për dëshminë e tij tek trupi gjykues.

Ndër të tjera, eksperi financiar deklaroi se MASHT-i është dëmtuar me arsyetimin se kompania e cila ka fituar nuk ka qenë meritore.

Paraprakisht, dëshmoi edhe eksperti Elez Blakaj, i cili ishte i ftuar nga mbrojtja.

Eksperti Blakaj tha se një operator ekonomik ka të drejtë të angazhojë një punëkryes tjetër pasi që “nuk mund të jenë të gjithë prodhues”.

Për më tepër, Blakaj theksoi se kontrata kornizë e Gjykatës Kushtetuese për furnizim nga operatori ekonomik është bërë pas zhvillimit të procedurave të prokurimit, ku ka rezultuar se kjo kompani ka ofertuar çmimin më të ulët.

Unë konsideroj se buxheti i Republikës së Kosovës, përkatësisht i MAShT-i, nuk është dëmtuar për faktin se furnizimi është realizuar dhe atë mbi bazën e referencave të çmimit më të ulët i cili ka qenë i kontraktuar me Gjykatën Kushtetuese e të cilin e ka shfrytëzuar edhe MAShT-i”, tha eksperti Blakaj.

Ai përsëri në dëshminë e tij ritheksoi se nuk ka pasur dëm të shkaktuar, duke shtuar se “nuk duhet kërkujt me i interesu ku është furnizu ai nëse është me çmim më të ulët”.

Sipas aktakuzës të Prokurorisë Speciale, Dakaj dhe Vokshi akuzohen se duke i tejkaluar kompetencat e tyre, në dhjetor të vitit 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, për vete apo persona tjerë në mënyrë të kundërligjshme kishin lidhur marrëveshje të mirëkuptimit mes institucionit ku punonin, përkatësisht mes MAShT-it dhe Gjykatës Kushtetuese me qëllim të shfrytëzimit të kontratës publike kornizë, nga ana e MAShT-it për shfrytëzimin e një operatori ekonomik për të furnizuar MAShT- in me mall.

Aktakuza sqaron se kontrata në mes këtij operatori ekonomik dhe Gjykatës Kushtetuese ishte lidhur për shtypjen e librave dhe materialeve tjera për shtypje, duke i mundësuar këtij subjekti përfitime në vlerë prej 31,612.60 euro, për të cilën shumë prokuroria pretendon se buxheti i shtetit të Kosovës është dëmtuar.

Rasti i Xhavit Dakajt dhe Milot Vokshit me vendim të Apelit ishte kthyer në rigjykim.

I akuzuari Dakaj në shkallën e parë ishte shpallur fajtor për keqpërdorimi të pozitës zyrtare dhe cenimi i barazisë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike në bashkëkryerje me dënim unik në kohëzgjatje prej 10 muajve burgim.

Për të njëjtat vepra penale, i akuzuari Vokshi ishte dënuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 6 muajve burgim.

Pjesë e kësaj aktakuze ishin edhe Xhemajl Buzuku, Fehmi Zylfiu e Bukurije Borovci.