Fjala përfundimtare në rastin e Inspektorit të KPMM-së, Lulzim Çitaku

U dha fjala përfundimtare në gjykimin ndaj inspektorit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, të akuzuar për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar.

Në fjalën e saj përfundimtare prokurorja e shtetit, Sahide Gashi, përmes telefonit lëshoi përgjimin e kryer nga ana e prokurorisë dhe kërkoj nga trupi gjykues që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit.

“Nga provat e administruara dhe nga dëshmitë të cilat i ka paraqitur prokuroria e shtetit, si dhe nga përgjimi të cilin e dëgjuan të gjithë në pranishmit në ketë seancë gjyqësore, është vërtetuar dhe është provuar se i pandehuri ka kryer veprat penale për të cilat po akuzohet, andaj i propozoi gjykatës që të njëjtin ta shpallë fajtorë dhe ta dënojë sipas ligjit, “ tha prokurorja në fjalën e saj përfundimtare.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Lulzim Çitaku, avokati Mahmut Halimi, në fjalën përfundimtare kërkoi edhe një herë lirimin e të mbrojturit të tije.

“Siç jemi në dijeni kjo çështje penale është duke u rigjykuar pasi që aktgjykimi me të cilin ishte shpallur i pafajshëm i mbrojturi im është prish me aktgjykim nga gjykata e Apelit. Po ashtu edhe sot pas administrimit te provave në shqyrtim gjyqësor me asnjë provë nuk është provuar  qe i akuzuari Çitaku të ketë kryer veprën penale për të cilat akuzohet andaj kërkoj nga Gjykata që të nxjerr aktgjykim lirues, “ deklaroj avokati Mahmut Halimi.

Çitaku akuzohet së në nëntor të vitit 2013 në cilësi të inspektorit të KPMM-së në fshatin Gremnik të Klinës, në bashkëpunim me inspektorin tjetër tanimë të dënuar, Nuredin Bislimi, i kanë kërkuar 1,000 euro mito Bedri Elezajt, pronar i kompanisë “Elezaj ShPK” për të mos i shqiptuar gjobë për eksploatim të zhavorrit pa licencë.

Më 23 shtator 2015 Gjykata Themelore në Pejë të akuzuarin  Çitaku e kishte liruar nga akuzat që rëndonin kundër tij.

https://kallxo.com/shpallet-i-pafajshem-inspektori-i-minierave-dhe-mineraleve/

E pakënaqur me këtë vendim të Gjykatës Themelore, Prokuroria ishte ankuar në Gjykatën e Apelit, e cila më 20 shtator 2016 ka marrë aktvendim me të cilin e anulon aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe rastin e kthen në rigjykim.

https://kallxo.com/kthehet-ne-rigjykim-rasti-inspektorit-te-kpmm-se/