Gjykimi i kryetarit të Dragashit | Foto: KALLXO.com

Fjala Përfundimtare në Gjykimin e Kryetarit të Dragashit

Në gjykimin e kryetarit të Dragashit Salim Jenuzi dhe tre të akuzuarve tjerë u dha fjala përfundimtare

Prokurori i rastit, Genc Nixha, fjalën e tij përfundimtare në këtë proces gjyqësor e dorëzoi me shkrim.

Në elaborimin e tij para trupit gjykues, Nixha tha se gjatë seancës janë vërtetuar pretendimet e aktakuzës së prokurorisë.

Sipas prokurorit Nixha, të thënat e dëshmitarëve gjatë procesit gjyqësor kanë vërtetuar pa mëdyshje se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen.

Për fund, prokurori kërkoi nga gjykata që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Nga ana tjetër, mbrojtësi i Salim Jenuzit, avokati Ruzhdi Berisha, tha se nuk ka përgatitur me shkrim fjalën përfundimtare, ngase ka pritur që aktakuza do të pësojë ndryshime nga ana e prokurorit.

Sipas avokatit Berisha, nuk ka veprime inkriminuese të kryetarit Jenuzi.

Avokati, më tutje në fjalën e tij përfundimtare tha se nga deklaratat e të akuzuarve dhe dëshmitarëve është vërtetuar se Salim Jenuzi nuk ka pasur përgjegjësi.

Ai, elaboroi edhe ligje në të cilat pretendoi se klienti i tij kishte vepruar drejt.

“Nuk ka kurrfarë keqpërdorimi të detyrës nga fakti se kryetari nënshkruan një akt administrativ të nxjerrë nga drejtorati i komunës, edhe pse akti administrativ në fjalë është plotësisht në pajtim me ligjin”, tha avokati Berisha.

Berisha, në fund propozoi që klienti i tij të lirohet nga akuza.

Ndërsa vetë i akuzuari Salim Jenuzi, u pajtua në tërësi me mbrojtjen e tij.

Fjalën e tij përfundimtare, me shkrim e kishte përgatitur edhe i akuzuari Behan Haxhihasan, drejtor i urbanizmit.

Mirëpo, ai, nuk mundi që ta elaborojë verbalisht këtë fjalë ngase mungoi përkthyesi adekuat i gjuhës boshnjake.

Përkthyesi gjyqësor i pranishëm në gjykatore ishte i autorizuar të përkthente në gjuhën turke dhe ai u deklarua se nuk ishte në gjendje që ta përkthente fjalën përfundimtare të shkruar nga i akuzuari.

Meqë përkthyes tjerë nuk pati në gjykatë dhe meqë ishte fundi i orarit të punës, seanca gjyqësore u ndërpre, ndërsa seanca e radhës u caktua për datën 17 nëntor 2017.

Salim Jenuzi akuzohet se nga viti 2009 deri në vitin 2016 në Dragash me qëllim të fitimit të dobisë pasurore për tjetrin dhe shkaktimin e dëmit komunës ia mundësoi pronarit të furrës “Evropa”, Nexhat Selajt, përvetësimin e kësaj patundshmërie.

Në pronën shoqërore Selaj më pas kishte ndërtuar objekt dykatësh pa vendim të asamblesë në Dragash, ndërsa këtë gjë nuk e kishin penguar drejtori i Urbanizmit në këtë komunë Behan Haxhihasan dhe inspektori komunal i ndërtimtarisë Vetim Hasani.

http://kallxo.com/kryetari-dragashit-nuk-di-te-drejtat-per-te-nenshkruar-per-lejen-ndertimi/