Finlanda premton përkrahje për rininë kosovare  

Finlanda dhe Kosova do të thellojnë bashkëpunimin në fushën e rinisë. Ndërsa shteti finlandez pritet të shtojë edhe më mbështetjen për rininë kosovare.

Këto mbështetje do të forcohen edhe pasi Finlanda të marrë drejtimin e Bashkimit Evropian.

Këto konkludime dolë gjatë një takimi të mbajtur sot në Ministrinë e Kulturës, në mes të ministrit të MKRS-së, Kujtim Gashi dhe ambasadores së Finlandës, Pia Stjernvall.

Përmes një komunikate për media, MKRS bënë të ditur se ministri Kujtim Gashi, ka pritur në takim ambasadoren Stjernvall, më të cilën diskutoi për fushën e rinisë, me theks për Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), kryesimin e së cilës e ka Kosova.

Po sipas kësaj komunikate, ambasadorja Stjernvall, e njoftoi ministrin se Republika e Finlandës do të marrë kryesimin e Bashkimit Evropian, dhe me këtë rast do të ketë një bashkëpunim dhe përkrahje më të madhe për Kosovën, sidomos në fushat që mbulon ministria.

Ndërsa Gashi ka falënderuar ambasadoren Stjernvall, popullin dhe qeverinë finlandeze për ndihmën e deritanishme që ka dhënë shteti finlandez për Kosovën, për fushat që mbulon MKRS-ja, veçanërisht projektet dhe bashkëpunimin në fushën e rinisë.