Finalisti i ‘Fulbright’ Akuzon MAShT-in se e la pa Bursë

Kandidati për bursë shkollimi në Amerikë që arriti deri në fazën finale, pretendon se mos përzgjedhja e tij është një premtim i parealizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Ibrahim Murati që kishte mbaruar studimet Bachelor për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Greqi u kthye në Kosovë ku aplikoi në programin e bursave ‘Fulbright’ për mundësi vazhdimi të studimeve master në SHBA.

Në korrik të këtij viti, MASHT nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me Ambasadën Amerikane në Kosovë në një ceremoni ku morën pjesë krerët më të lartë shtetërorë e ku u zotua investim i përbashkët i këtyre institucioneve në programin ‘Fulbright’.

Në atë kohë, nga Ministria e Arsimit ishin premtuar 1.5 milionë euro për investim 5 vjeçar në këtë program. Kjo shumë, sipas Ministrit Arsim  Bajrami, do të vazhdojë të rritet.

“ Ky është një fond fillestar sepse ne do ta rrisim pjesëmarrjen, jo vetëm me  fonde qeveritare por skema ‘Fulbright’ do të jetë e hapur edhe për komunitetin e biznesit që të kemi sa më shumë fonde në mënyrë që me këto fonde që të dërgojmë profesorë dhe studentë, që të kemi sa më shumë shkëmbime akademike…”, ishte zotuar ministri.

Sipas  kandidatit Murati, që kishte arritur në dhjetëshen finaliste, Ministria ishte zotuar që të financojë katër prej tyre e që rrjedhimisht janë përjashtuar nga gara për mungesë fondesh.

“Problemi me sa kam kuptuar unë, është që Ministria [e Arsimit], nuk e ka bartur buxhetin për këta katër bursistë. Problemi tjetër është që ne veç u shpallëm finalist qysh në korrik dhe në tetor na lajmërojnë që nuk jemi finalistë që i bie që ministria nuk ishte e gatshme të bënte një transfer buxheti apo diçka e tillë”, tha Murati.

Mirëpo, Ambasada Amerikane në Kosovë nuk ka dhënë përgjigje konkrete se si kishte ardhur deri te shkurtimi i fondeve duke thënë se ambasada nuk i garanton as finalistëve bursën sepse financimi sipas tyre varet nga shumë faktorë.

“Programi Fulbright nuk i garanton bursë aplikantëve apo finalistëve, sepse fondet varen nga shumë faktorë që kalkulohen në çmimin final të qëndrimit për një përfitues të bursës”, tha Ambasada në një përgjigje për KALLXO.com.

Megjithatë Murati është i vendosur se duhet ta ketë të paktën një shpjegim apo kërkim falje nga ministria sepse pretendon se i është bërë e padrejtë.

“E konsideroj që është bërë padrejtësi sepse nga finalisti dola  në jo finalist.        Shpresojmë që deri në janar kur përfundon procesi i aplikimit, të presim të paktën një email zyrtar nga ministria apo një kërkim falje pse një gjë e tillë të ndodhë”, tha Murati.

E Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë përmes zyrës së informimit kanë thënë se nuk kanë njohuri për rastin e katër kandidatëve pa përmendur fare lidhjen e fondit të MASHT me këta bursistë.