Foto:KALLXO.com

Filmohet dorëzimi i parave mito për Policinë e Kosovës

Në emisionin “Drejtësia në Kosovë” sonte u transmetua hulumtimi ekskluziv për lidhjen e zyrtarëve policor me kontrabandën në veriun e Kosovës.

“Drejtësia në Kosovë” për gjashtë muaj rresht, hulumtoi lidhjet e kontrabandistëve të veriut të Kosovës me zyrtarët policor të Kosovës.

Njëri nga kontrabandistët tregon vendin se ku lihen paratë e kamionëve apo furgonave të kontrabanduar të cilët futen ilegalisht në Kosovë.

“Tash jemi në rrugën magjistrale Jarinje- Leshak. Do të shkojmë te dyqani i quajtur “Guri” aty ku lihen paratë për policinë, apo shefin e ndërrimit … …. Për çdo hyrje apo dalje je i obliguar që të paguash dhe t’i lësh paratë në dyqan”, tha kontrabandisti i cili bashkëpunoi me ekipin e DNK-së.

Ai tregon tutje edhe për shumën e caktuar për kamionët e kontrabanduar.

“Për një kamion të thjeshtë pagesa është 50 euro, për një furgon 50 deri 100 euro”, thotë kontrabandisti.

Sipas tij, ka raste kur shefi i ndërrimit të policisë përdor makinën private për të mbledhur paratë të cilat janë grumbulluar e janë dhënë nga kontrabandistët.

“Rregulla, jo nuk ka. Mund t’i lësh paratë në Leshak apo në Leposaviq, ku të dëshirosh. Ndërsa kur i len paratë, detyrimisht duhet ta kërkojmë me telefon”, tha kontrabandisti.