Regjisori Aleksandar Reljiç kalon pranë protestës kundër filmit të tij të hënën. Foto: Beta/Dragan Gojic.

Filmi për Kosovën Shkakton Polemika në Serbi

Pasi aktivistë të ekstremit të djathtë protestuan në Novi Sad dhe u përpoqën të ndalonin shfaqjen e filmit të Aleksandar Reljiq për jetën në Kosovë, regjisori tha për BIRN se ishte i habitur që ky film ndezi ndenja kaq të forta edhe pse e dinte që Kosova mbetet një temë emocionale në Serbi.

“Ata janë shumë të ndjeshëm në lidhje me temën e Kosovës dhe çdo dialog për Kosovën shkakton polemika sepse ata s’durojnë dot ndonjë lloj normaliteti në Kosovë,” tha Reljiq.

Dhjetëra anëtarë të grupeve të ekstremit të djathtë Zavetnici dhe Mlada Srpska Snaga u mblodhën në Novi Sad të hënën në mbrëmje para zyrave të bashkë producentit të filmit, Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Vojvodinës, NDNV, ku po shfaqej filmi “Kosovë… Nazdravlje! Gezuar!”.

Aktivistët e krahut të djathtë u përpoqën të hynin në zyrën e NDNV-së dhe ta ndalon shfaqjen e filmit. Disa prej tyre arritën të hynin brenda ndërtesës, por u shoqëruan menjëherë jashtë nga policia.

“Mbaj mend 20 vjet më parë, kur bëmë një film të titulluar “Dialogu në Kosovë ‘98” mbi studentët shqiptarë dhe serbë në Prishtinë, që uleshin në të njëjtën tavolinë dhe të flisnin për gjithçka ndërsa jashtë zhvillohej lufta. Njerëz të ngjashëm me ata të ditës së hënë protestuan kundër tij ndërsa ne shfaqnim filmin në kinemanë Rex në Beograd. Kështu që jam mësuar me këtë,” kujton Reljiq.

Dokumentari i tij në materialin promovues përshkruhet si një histori mbi njerëzit e zakonshëm që jetojnë në Kosovë tani – “plot kontradikta dhe pasione, në të cilat dëshpërimi dhe shpresa ndërthuren në jetë së bashku”.

Reljiq u shpreh se personazhet në film nuk përputhen me paragjykimet të njerëzve për Kosovën.

“Në këtë film, një njeri i zakonshëm është një veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK. Ai nuk është stereotipi i pamjes së asaj që është UÇK-ja. Ai ka që në vitin 2002 që përpiqet të dërgojë një mesazh paqeje dhe ka bërë disa projekte ku përfshihen edhe pajtimi me serbët dhe përballja me të kaluarën,” shpjegoi ai.

Ai shtoi se filmi tregon ish-guerilasin me mikun e tij, një murg ortodoks serb nga manastiri i Deçanit.

“Po flasim për miqësinë e tyre, si u takuan dhe kur. Pra, ata tani takohen përsëri në një tavernë, siç është tradicionale, dhe ulen për të folur. Dhe në një mënyrë kjo është një histori që dy palë, tepër të ndara, mund të ulen në të njëjtën tryezë dhe të bisedojnë,” tha Reljiq.

Ai shtoi se filmi gjithashtu tregon një biznes të përbashkët të drejtuar nga një serb dhe një shqiptar, pronarë të një strehe kafshësh në Graçanicë.

Reljiq është gazetar ne radiotelevizionin rajonal të Vojvodinës dhe regjisor i disa dokumentarëve me tema lufte.

Ai është gjithashtu fitues i çmimit të përvitshëm të NDNV si gazetari më i mirë në vitin 2015.

Producenti ekzekutiv i programit “Jeta në Kosovë” të BIRN, Faik Ispahiu, është bashkë-producent i filmit “Kosova… Nazdravlje! Gëzuar!” si pjesë e një projekti bashkëpunimi mediatik midis BIRN Kosovës dhe NDNV-së.