Filmi kosovar në 2018-ën, arritja deri te dyert e ‘OSCARS’

Pavarësisht se edhe gjatë 2018-ës Kosova nuk arriti të ketë një film që do të garonte për çmimet OSCARS,  filmi kosovar përjetoi një vit të suksesshëm vitin që e lamë pas.

Përveç suksesit të filmit “Martesa” që mori çmime të rëndësishme në Talin dhe në Stamboll, edhe disa filma tjerë të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër, si: “Nëntori i ftohtë”, “Ajo”, “Gardhi”, etj., patën një sukses në festivale ndërkombëtare duke rrëmbyer edhe çmime.

Një tregues ky i ngjalljes dhe depërtimit të filmit kosovarë në kinematë dhe festivalet ndërkombëtare duke përfshirë edhe ato të kategorive të rëndësishme.

Ndërkaq arritja deri tek faza e seleksionimit për çmimet OSCARS, i tre filmave, “Martesa”, “Ajo” dhe” Gardhi”, sipas kineastëve tanë është tregues i punës që kanë bërë kineastët tanë për realizimin filmave.

Megjithëse sipas tyre, filmi kosovar mbetet mjaft mbrapa atij të rajonit.

Ben Apolloni, regjisor filmi dhe teatri në një prononcim për Kallxo.com ka thënë se gjatë 2018-ës filmi kosovar ishte më reprezentuesi për kulturën tonë në botë.

“Mendoj që filmbërësit kanë krijuar disa filma të mirë, por ende si industri jemi shumë larg rajonit e lëre më Evropës e Botës. Na mungon shumëçka, por do të përmendja sidomos rrjetin e kinemave nëpër Kosovë”, ka pohuar Apolloni.

Ndërsa Ilir Muharremi, kritik filmi ka potencuar për Kallxo.com se filmi i gjatë në vend vazhdon të mbetet prapa dhe se kineastët kosovarë më shumë orientohen drejt realizimit të filmave të metrazhit të shkurtër.

“Arsyeja është se nuk dimë të trajtojmë një ide deri në fund, krijojmë një varg idesh dhe bëhet mish-mash në fund. Kinemaja edhe në botë është biznes, por biznes i mirëfilltë e jo biznes koti si në Kosovë”, ka pohuar Muharremi.

Sipas tij ka shumë produksione që janë mbështetur financiarisht dhe regjisorët kanë bërë shtëpi luksoze me to, ndërsa kur janë shfaqur filmat e tyre, shihej se kishte shumë mangësi.

Ndërsa regjisori Luan Kryeziu ka pohuar se duke pas parasysh mundësitë që kanë kineastët për të promovuar punë e tyre jashtë vendit në krahasim me fushat tjera si artet skenike, apo ansamblet tjera muzikore, nuk është bërë sa duhet.

“Ne konkurrojmë në festivale nga interneti dhe filmi përfaqësohet nga kushdo që mundet, ndërsa ansambli muzikor, ansambli teatroret kanë kosto të mëdha me skenografi, kostumografi e aktorë”, ka pohuar ai, duke kritikuar Qendrën Kinematografike se mbështet produksione për vite me radhë, të cilat sipas tij, pavarësisht mbështetjes nuk arrijnë ta përfundojnë asnjë film.

 

 

03 Janar 2019 - 13:11

Isa Vatovci 03/01/2019 - 13:11
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend