Detaj nga filmi dokumentar "Kosovë... Nazdravlje, Gëzuar".

Filmi dokumentar ‘Kosovë ... Nazdravlje! Gëzuar!’ fiton çmimin e publikut në Festival në Uashington

Filmi dokumentar “Kosovë … Nazdravlje! Gëzuar! i autorit Aleksandër Reliq, produksion i Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Vojvodinës dhe Zyrës së BIRN-it në Kosovë, mori çmimin e publikut në Festivalin e filmit bashkëkohor dokumentar dhe të shkurtër serb në Uashington.

Organizatori i edicionit të nëntë të Festivalit të filmit bashkëkohor dokumentar dhe të shkurtër serb është shoqata Krug Orfelin (Rrethi Orfelin), ndërsa u mbajt në kinemanë e njohur artistike Avalon.

Filmi dokumentar “Kosovë… Nazdravlje!Gëzuar! “, flet për mundësitë e bashkëjetesës së shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.

Filmi është një storie për takimin e Ari Abdylit, veteran i luftës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Isak Vorguçiqit, babait të ish priftit Nektar, ish-murg i Kishës Ortodokse Serbe.

“Ata në enklavën serbe në afërsi të Prishtinës, në një kafene lokale, shtjellojnë realitetin konfliktuoz të Kosovës në tavolinën e kafenesë: me tregime rreth luftës, marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e kësaj zone. Dy përfaqësues të palëve thellësisht të ndara, edhe pse janë në gjendje të ulen në të njëjtën tavolinë, besojnë se Kosova multietnike është një “ide e dështuar” dhe se bashkëjetesa e serbëve dhe shqiptarëve është e pamundur”, thuhet në materialin shoqërues të filmit.

“Nga ana tjetër janë një serb dhe një shqiptar që i demantojnë, Sllavisha Stojanoviq dhe Mentor Gashi, të cilët në të njëjtën enklavë mbajnë një strehimore për qentë endacakë. Me shumë dashuri dhe përkushtim, ata kujdesen për këlyshët e sëmurë, i sjellin në strehimore, kurojnë dhe përpiqen t’u gjejnë shtëpi. Të preokupuar me punën e tyre humanitare, por edhe me probleme të mëdha financiare, Mentori dhe Sllavisha nuk janë të ngarkuar me konfliktin e Kosovës, politikën dhe marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë”, shkruan në material.

Filmi dokumentar “Kosovë … Nazdravlje! Gëzuar!” është rezultat i projektit “Njerëzit e vërtetë – zgjidhje të vërteta” për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë nga perspektiva historike, e jetës së përditshme dhe të ardhmes, i cili u realizua bashkërisht nga Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Vojvodinës, Zyra e BIRN-it në Kosovë dhe ForumZFD Beograd, me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Europian në Serbi.

Ekstremistët e djathtë nga grupi “Zavetnici“ (Të betuarit) vitin e kaluar u përpoqën ta ndalonin me forcë shfaqjen e filmit në Novi Sad, por organizatorët, me ndihmën e policisë, e penguan në këtë.

Në kuadër të njëjtit projekt janë xhiruar edhe katër filma të tjerë, ndërsa ekipet e autorëve disa herë u vunë në shënjestër nga nacionalistët ekstremistë, mes të cilëve veçohet sulmi në Nish, për të cilin është duke u zhvilluar procedurë hetimi kundër autorëve e sulmit.

(Autonomija)