Fillon Zgjerimi i Rrugës në Veternik

“Këto punë janë planifikuar kështu me buxhet për këtë vit dhe buxheti vazhdon siç vazhdon jeta dhe fushatat vazhdojnë ashtu siç janë sepse ne kemi zgjedhje komunale këtë vit por kjo nuk bëhet as për zgjedhje lokale dhe as për zgjedhje nacionale por bëhet që të përmirësohet jeta e qytetarëve”, tha Isa Mustafa.

Ky segment rrugor do të zgjerohet në të dy anët e rrugës me nga dy korsi të reja, me gjerësi prej 3.5 metrash për secilën korsi.

Gjithashtu në të dy anët e rrugës do të ketë trotuare, ndriçim, si dhe shteg për biçiklistët.

Njëkohësisht, kjo rrugë pritet ta lidhë Prishtinën me Prishtinën e re.

Ky projekt është paraparë të realizohet me 2 llote. Lloti 1 do të jetë drejtimi Prishtinë – Veternik, krahu i majtë i rrugës, i cili sipas kontratës parashihet të përfundojë brenda 150 ditësh pune, kostoja e të cilit do të jetë rreth 1.5 milion euro.

Ndërsa lloti 2 është drejtimi Prishtinë – Veternik, krahu i djathtë i rrugës kostoja e të cilit do të jetë 1.3 milion euro, ndërsa punimet pritët të përfundojnë për 110 ditë pune.

“Më vjen mirë që po hapet hyrja në Prishtinë, në kryeqytetin e Kosovës sepse ne këtë e konsiderojmë si investim për kryeqytetin, është një hyrje që do të jetë madhështore, jo vetëm në pamje po edhe në mënyrën e funksionimit, sepse tani kemi dy rrugë me nga 4 korsi”, tha Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Mustafa gjithashtu tha se pritet që të bëhet edhe ndërtimi i pjesës tjetër të rrugës që do të shkojë deri te Pallati i Drejtësisë, dhe të fillojë ndërtimi i unazës së Prishtinës.

Ndërsa për Ministrin e Infrastruktuës, Lutfi Zharku, e rëndësishme është se po lirohet qarkullimi i rrugëve në kryeqytet.

“Ne kemi fillu çlirimin e rrugëve të Prishtinës, apo trafikun për të gjithë qytetarët”, tha Ministri Zharku.

Zharku tha se këtë vit në sektorin e infrastrukturës do të investohen vetëm në Prishtinë rreth 9 milionë euro.