Fillon Universiteti Veror, rektori uron eksperiencë të këndshme për studentët

Sot është bërë hapja solemne e edicionit të 19-të të Universitetit Veror, i cili mbahet në kuadër të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Gjatë këtij edicioni do të marrin pjesë rreth 200 studentë ndërkombëtarë dhe vendorë, të cilët do të ndjekin gjithsej 17 kurse.

Rektori i UP-së, Marjan Dema tha se edicioni i 19-të i Universitetit Veror, i ka bërë së bashku shumë profesorë e studentë nga e gjithë bota.

Ai theksoi se këtë vit kanë pranuar më shumë aplikime për Universitetin Veror.

“Ju keni mundësinë që të keni mësoni nga profesorë të shquar, derisa mësoni do të mund të bëni edhe qejf sepse do të mund të vizioni vende dhe të vallëzoni së bashku. Prandaj shpresoj se këto dy javë do t’i shijoni dhe që momentet që i kaloni këtu, t’i mbani gjatë në kujtesën tuaj. Gjithashtu edhe njohuritë që i merrni këtu, do të mund t’i përcillni në vendin tuaj kur të ktheheni”, ka thënë rektori Dema.

Zëvendësministri i Arsimit, Azem Guri tha se prania e studentëve dhe profesorëve në këtë edicion të Universitetit Veror, flet shumë për cilësinë në Universitetin e Prishtinës prandaj edhe Ministria e Arsimit do ta mbështesë këtë projekt.

Në anën tjetër, ministri i Kulturës, Kujtim Gashi ka thënë se Universiteti i Prishtinës, me edicionet e Universitetit Veror, po korrespondon me arritjet e epokës së globalizmit.

“Jo vetëm Universiteti i Prishtinës është e vendosur qe urat akademike t’i zgjerojë në rrafshin e ideve, shkencës dhe kulturës sepse kështu po rritet Epoka e Globalizimeve. Arsimi universitar është rruga më e mirë në kohën e integrimeve dhe qytetërimeve, të cilat edhe ne synojmë të jemi pjesë e saj për të krijuar breza elitar”, ka thënë Gashi.

Në përmbyllje të ceremonisë, profesori i Fakultetit të Arteve, Valton Beqiri dhe tenori Liridon Sadriu luajtën dy pika muzikore.

Universiteti Veror i Prishtinës i cili ka filluar sot, do të zgjasë deri më 19 korrik të këtij viti.

Në këtë periudhë prej dy javëshe, studentët dhe profesorët vendorë e ndërkombëtarë do të mund të shkëmbejnë përvojat e tyre dhe të mësojnë nga njëri tjetri.

https://kallxo.com/hapet-universiteti-veror-i-prishtines/