Protesta e opozitës në Shqipëri | Foto: REL

Fillon Protesta e Opozitës në Shqipëri

Mijëra qytetarë të Shqipërisë janë mbledhur në Sheshin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, pranë ndërtesës së Kryeministrisë për të protestuar kundër Qeverisë së Shqipërisë.

Me parullën “Kundër Qeverisë së Varfërisë dhe Padrejtësisë”, partitë opozitare të Shqipërisë organizuan protestës për të kundërshtuar, siç thanë ato, krimin që kryeministri Edi Rama po e bën mbi Shqipërinë.

Kryetari i partisë opozitare, Partisë Demokratike te Shqipërisë, Lulzim Basha ka bërë thirrje për protesta paqesore duke thënë se “do të mblidhemi paqësisht në shesh. Unë do të jem me familjen time. Nuk do të jetë spektakël, por protestë madhështore për të shpallur se shumica nuk e pranon qeverisjen nga krimi.”

Ndërsa, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, është shprehur se “do të protestojmë deri në rrëzimin e Ramës”.

Ditë më parë, kryeministri Edi Rama tha se protesta e opozitës mund të pengojë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Nga këndvështrimi im, problemi s’janë protestat, por qasja e kësaj opozite, e kësaj tufe pa kokë, pa drejtim pa strategji, përveç një dëshpërimi të shprehur në formën e një mllefi ekstrem në raport me objektivin historik të hapjes së negociatave dhe reformën në drejtësi. Çfarë mesazhi çon kjo opozitë në BE duke protestuar për zgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme që është bërë me opinionin profesional të misionit të drejtësisë së BE-së, pra në Bruksel mendojnë se është bërë zgjedhja e duhur, po kjo opozitë që del çka bën, akuzon Brukselin”, tha Rama.

Kjo është protesta e dytë e organizuar nga “opozita e bashkuar shqiptare” kundër Qeverisë së Edi Ramës.