Pamje nga seanca e gjykimit të të akuzuarve për grabitje të lopës - Foto: KALLXO.com

Fillon Gjyqi për Grabitjen e Lopës në Vitin 1999

Në seancën e parë gjyqësore i akuzuari Sadat Qamili para trupit gjykues deklaroi se nuk e ndjen veten fajtor dhe se është plotësisht i pafajshëm.

Ai lidhur me veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve para trupit gjykues deklaroi:  “Unë e pranoj se e kam poseduar armën por jo që e kam përdorur”.

Ndërsa babai i Sadatit, i akuzuari tjetër, Haki Qamili, i tha trupit gjykues se nuk ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes për të cilën akuzohet.

Burhan Qosja, avokati i të dëmtuarit Haxhi Mustafa para trupit gjykues tha se konsideron se aktakuza në fjalë është e bazuar në ligj.

Ai deklaroi se deklaratat e të pandehurve janë kontradiktore me ato të dhëna në procedurë paraprake nëse krahasohen me deklaratën koncize të klientin të tij – i cili është palë e dëmtuar në këtë rast.
Në këtë seancë avokati Qosja theksoi se beson se pas dëgjimit të të dëmtuarit dhe të dëshmitarëve Gjykata  do të jetë në gjendje të vërtetojë se të pandehurit e kanë kryer këtë vepër penale.

Në kundërshtim të kësaj deklarate reagoi avokati i Sadatit, Veton Rreci, i cili deklaroi se e mbështet deklaratën e të mbrojturit të tij dhe se beson se Gjykata pas administrimit të provave dhe pas dëgjimit të të mbrojturit të tij “pa mëdyshje” do ta vërtetojë pafajësinë e klientit të tij.

Avokati Rreci i propozoi trupit gjykues që të shtyhet seanca për shkak se ai deklaroi se sapo ishte angazhuar në këtë çështje juridiko-penale dhe sipas tij përveç një kopje të aktakuzës nuk janë të pajisur edhe me shkresat e tjera të lëndës, prandaj kërkoi nga trupi gjykues që të iu jepet mundësi dhe kohë e mjaftueshme që të përgatiten për mbrojtje.

Sipas aktakuzës, Sadat e Haki Qamili në oborrin e shtëpisë të të dëmtuarit Haxhi Mustafa në fshatin Babush, komuna e Lipjanit, kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personit tjetër me qëllim që vetit t`i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që së pari kanë tentuar t’ia marrin një lopë bardh e zi , por pasi që i dëmtuari kishte rezistuar, të njëjtit janë larguar nga oborri për t’u kthyer më vonë me ç`rast i pandehuri Sadat i ishte kërcënuar me revole ngjyrë hiri të dëmtuarit duke i thënë:  “Nëse nuk na lejon ta marrim lopën kam me të vra” si dhe duke shtënë dy herë në drejtim të ahurit ku ka qenë i dëmtuari, ashtu që me ndihmën e Hakiut kanë arritur ta zgjidhin dhe ta marrin një lopë tjetër ngjyrë kafe e ta dërgojnë në shtëpinë e vet, ndërsa gjatë largimit i pandehuri Sadat kishte shtënë edhe një herë në ajër.

Në bazë të kësaj aktakuze babë e bir akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të grabitjes, ndërsa i pandehuri Sadat akuzohet edhe për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Të dy palët paraqitën para trupit gjykues emrat e dëshmitarëve të cilët pritet të dëshmojnë në seancat e radhës, e cila do të mbahet më 7 prill.

Redaktoi: Naser Sertolli