Fillon Gjyqi BIRN vs KPK

Filloi seanca e parë e procesit gjyqësor të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) kundër Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për konflikt administrativ në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

KPK kishte kërkuar nga trupi gjykues që të shtyhej seanca, me pretendimin se nuk kishin marrë padinë, dhe si rrjedhojë nuk kishin mundur të përgatiten.

Por kjo kërkesë nuk e bindi gjyqtarin, i cili u shpreh se ekzistonin të dhëna për të kundërtën, ndaj seanca filloi siç ishte parashikuar pa praninë e përfaqësuesve të KPK.

Seanca dëgjimore e 20 majit, filloi sot në orën 10 në Departamentin për Konflikte Administrative. Ajo e ka zanafillën në nëntor të vitit 2012, kohë kur është iniciuar padia e BIRN, për shkak se KPK refuzoi vazhdimisht të krijonte qasje në dokumente publike rreth sanksioneve të marra ndaj prokurorëve nga vetë ky institucion.

Këshilli Prokurorial i Kosovës në mbledhjen e mbajtur pak ditë më parë mori vendim që këtë institucion në padinë e ngritur nga BIRN-i ta përfaqësojë Haxhi Dërguti. Haxhi Dërguti është ushtrues detyre i kryeprokurorit në Prokurorinë e Apelit.

Padia e iniciuar në nëntor të vitit 2012 ishte bërë në kuadër të fushatës “Drejtësia dhe Qytetarët” dhe e argumenton të drejtën e BIRN-it për qasje në dokumentet e kërkuara sipas legjislacionit kosovar, mospërfilljen konsistonte të KPK-së ndaj obligimeve që parasheh Ligji për Qasje në Dokumente Publike, duke konstatuar se Kushtetuta dhe ligjet përkatëse kërkojnë që organet e caktuara t’i bëjnë publike dokumentet e kërkuara.

BIRN, më 2 tetor 2012 kishte paraqitur kërkesë për qasje në dokumente publike në Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke kërkuar që t’i mundësohet qasja në vendimet e formës së prerë me të cilat janë shqiptuar sanksionet disiplinore ndaj prokurorëve si pasojë e sjelljes së pahijshme.

Pas kërkesave dhe refuzimeve të vazhdueshme në lidhje me çështjen në fjalë, përfundimisht më 15 nëntor 2012, KPK mori mundimin t’i dërgojë BIRN-it një vendim me të cilin refuzohej kërkesa për qasje në të gjitha dokumentet të cilat kanë të bëjnë me vendimet mbi masat disiplinore të shqiptuara për prokurorë.

Kushtetuta e Kosovës njeh dhe garanton të drejtën e qytetarëve për qasje në dokumente publike ndërsa legjislacioni u siguron atyre një të drejtë të gjerë të qasjes në këto dokumente.