Zgjerimi i rrugës Besi - Podujevë, Foto: Facebook/Komuna e Podujevës

Fillojnë punimet për zgjerimin e rrugës Besi - Podujevë

Në Gllamnik të Podujevës, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe nënkryetari i komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari kanë inauguruar fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës nacionale, rrethrrotullimi Besi-Podujevë, segmenti Lluzhan-Gllamnik.

Ministri Lekaj tha se po fillohet një punë me rëndësi për Podujevën, për lidhjen e Prishtinës me Podujevën, përmes rrugës nacionale N 25, me gjatësi prej 4 kilometrash, me kosto rreth 5 milionë euro, ndërsa punët do të kryhen për 200 ditë.

“Për mua si ministër dhe bashkëpunëtorët e mi, ky është një projekt i veçantë. Ne nuk do të ndalemi, do të vazhdojmë me projekte të tilla. Sot e kemi filluar këtu në Podujevë, javën e ardhshme do ta fillojmë për Mitrovicë”, tha ministri Lekaj.

Ndërsa nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari tha se ky projekt është i rëndësishëm për qytetarët dhe vendin, sidomos për ata që jetojnë në Europë, sepse kjo është arteria kryesore që e lidh Kosovën me botën e jashtme.