Fillojnë punimet për asfaltimin e rrugës në Kamenicë

Nënkryetari i Komunës së Kamenicës Faton Jakupi, ka njoftuar se do të fillojnë punimet për asfaltimin  e rrugës “Shkolla Fillore-Bunari i Zenelit”, në fshatin Kopernicë të Kamenicës.

Ai tha se Ministria e Infrastrukturës u ka bërë të ditur se punimet për asfaltimin e kësaj rruge do të fillojnë këtë të shtunë.

“Duke i ditur rrethanat e deritanishme për mosvazhdimin e punimeve për asfaltimin e rrugës në Kopernicë, për të cilin projekt investitor është Ministria e Infrastrukturës, e që për banorët e kësaj ane është bërë e mundimshme rrugëtimi në këtë rrugë, më lejoni të ju informoj se sipas njoftimeve të fundit nga MI… punimet për asfaltimin e kësaj rruge do të fillojnë me 26.05.2018 (e shtunë)”, ka shkruar Jakupi.

I gjithë ky projekt do financohet në tërësi nga Ministria e Infrastrukturës.

Në prill të këtij viti nënkryetari i Komunës së Kamenicës Faton Jakupi,  është takuar me Ministrin e Infrastrukturës Pal Lekaj. Në këtë takim janë diskutuar projektet që do të realizohen në këtë komunë.