Ilustrim

Fillojnë aplikimet për legalizim të armëve

Një vendim i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i datës 23 nëntor, ka paraparë që qytetarët e Kosovës mund të fillojnë procedurat e legalizimit të armëve.

Gjatë ditës së djeshme vetëm ka filluar zbatimi i këtij vendimi, procedurë kjo që do të zgjas gjashtë muaj.

Shefi i Departamentit për Siguri në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Mensur Hoti, tha për KALLXO.com se ende nuk kanë numër të saktë të aplikacioneve të cilat janë pranuar nga qytetarët për legalizim të armëve.

“Deri tash nuk kemi raporte të sakta, e dimë që ka pasur aplikacione por ende nuk janë mbledhur të gjitha si numër. Ky proces është gjashtë mujor dhe nuk presim që bash ditët e para të kemi aplikacione të shumta, ka pasiguri nga ana e qytetarëve, janë të interesuar të dinë në lidhje me procedurën ka pyetje të shumta”, tha Hoti për KALLXO.com.

Hoti beson se, vendimi për legalizim të armëve do të shkojë mirë.

“E kemi një të kaluar të keqe me regjistrim të armëve si shqiptar, por besojmë fuqishëm që projekti ka me shku mirë”, tha tutje Hoti.

Hoti tregon edhe se a janë mjaftueshëm të informuar qytetarët për legalizim të armëve.

“Realisht jemi duke bërë fushatë për këtë çështje. Pastaj edhe në uebfaqe jemi duke u përgatit me bo një kampanjë, dhe informacionet më të sakta çdo qytetar mund ti marr tek zyrtari policor ku edhe fillojnë procedurat e legalizimit. Besoj se do të ketë hapësirë të mjaftueshme që qytetarët brenda kësaj kohe të informohen saktë për legalizimin e armëve”, tha shefi i Departamentit për Siguri në MPB, Mensur Hoti.

KALLXO.com gjithashtu ka raportuar në lidhje me procedurat që duhet ndërmarrë nga ana e qytetarëve për të legalizuar armët.

Hapat që duhet ndjekur për legalizimin e armëve pa leje

https://kallxo.com/ministri-i-mpb-se-nxjerr-vendim-per-legalizimin-e-armeve-dokument/