Ilustrim, Foto: KALLXO.com

Fiket zjarri në malet e Istogut

Pas më shumë se tri orëve, zjarrfikësit e Istogut kanë arritur ta fikin flakët që kishin përfshirë një zonë të madhe në malet e Zallqit.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Enver Rugova, drejtor i Shërbimeve Publike dhe Emergjencë në Komunën e Istogut.

“Zjarri në Zallq është shuar totalisht. Ka pasur zjarr rreth 3 orë dhe kemi arritur ta ndalojmë. Ka qenë një zjarrvënie e qëllimshme në një fushë” tha ai.

Ai tha se të tilla zjarrëvënie gjatë ditës së sotme ishin në tri lokacione të ndryshme.

“Nuk ka ndonjë dëm. Dy kamionët e zjarrfikësve e kanë shuar zjarrin”, tha ai.

Ndryshe, zjarri në fshatin Zallq të Istogut kishte filluar rreth orës 15:00 të pasdites dhe ka vazhduar deri rreth orës 20:00.

Rugova tha se ata kishin ftuar për asistencë edhe zjarrfikësit nga komuna e Pejës, Skenderajt e Klinës, por të njëjtit kishin qenë të zënë me zjarre nëpër komunat e tyre.