Granit Xhaka duke e festuar golin e barazimit kundër Serbisë, Foto: EPA-EFE/ARMANDO BABANI

FIFA dënon Xhakën e Shaqirin me nga 10 mijë franga

Pas ankesës nga Federata Serbe e Futbollit ndaj mënyrës së festimit të lojtarëve të kombëtares zvicerane, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri e Stephan Lichtsteiner, FIFA ka marrë një vendim.

Sipas vendimit, tre lojtarët nuk janë dënuar me moslojë.

Siç raporton BBC, FIFA ka dënuar Xhakën e Shaqirin me nga 10 mijë franga, ndërsa Lichtsteinerin me 5 mijë franga.

Ata janë ndëshkuar për “sjellje të papërshtatshme”.

Kjo ka të bëjë me festimin e Xhakës dhe Shaqirit pas golave të shënuar kundër Serbisë në kuadër të garës për Kupën e Botës që po mbahet në Rusi.

https://kallxo.com/fifa-hap-hetimin-per-festimet-e-xhakes-dhe-shaqirit/

Xhaka e Shaqiri pas golave bënë me duar simbolin e shqiponjës, sipas flamurit shqiptar dhe kjo u pa si provokim nga ana serbe.

Në të njëjtën ditë, FIFA njoftoi se ka hapur hetim edhe ndaj Federatës Serbe të Futbollit për shkak të sjelljes së tifozëve dhe paraqitjes së mesazheve politike dhe ofenduese nga tifozët serbë.

Për këtë arsye, FIFA e ka dënuar Federatën Serbe të Futbollit me 54 mijë franga.

Po ashtu, siç njofton BBC, FIFA ka dënuar edhe kryetarin e Federatës Serbe të Futbollit, Slavisa Kokeza dhe trajnerin, Mladen Krstajiq.

Të dy u dënuan me nga 5 mijë franga për komentet e tyre pas disfatës të së premtes përballë Zvicrës, e cila fitoi me golat e dy lojtarëve me origjinë nga Kosova.