Fidanët e arrës | Foto: Komuna e Ferizajt

Fermerëve ferizajas u jepen fidanë arre dhe sisteme të ujitjes

30 fermerë nga komuna e Ferizajt kanë përfituar fidanë të arrës dhe sisteme të ujitjes.

Drejtoria Komunale për Bujqësi në Ferizaj ka bërë dje shpërndarjen e fidanëve të arrës për fermerët ferizajas.

Drejtori i Bujqësisë në Ferizaj, Burim Bajrami tha se fidanë dhe sisteme ujitjeje janë dhënë për 15 hektarë.

“Përfitues janë 30 fermerë. Secili përfitues fiton nga 50 ari fidanë te arrës dhe sistemin komplet të ujitjes. Arrat janë shumë produktive dhe jetëgjata dhe fitimi është relativisht i mirë, ka jetëgjatësi dhe përfitimi ekonomik ka qenë një ndër arsyet kryesore të këtij projekti”, ka thënë Bajrami.

Ndërsa fermeri Zenun Xhaferri nga fshatin Mirosalë falënderoi për subvencionimin.

“Fidanët ishin të shkëlqyeshëm dhe shumë të shëndoshë. Arra është shumë e kërkuar në tregun vendor por edhe ndërkombëtar, sepse arra është një frutë që po përdoret në të gjitha ushqimet”, tha Xhaferri.

Komuna ka njoftuar se në të ardhmen do të bëjë edhe furnizimin me dredhëzën industriale për fermerët ferizajas.