Gjykimi i ish-zyrtarëve të Akreditimit - Foto: KALLXO.com

Ferdije Zhushi: Kam qenë e kërcënuar nga hyrja deri në dalje nga Kolegji ISPE

Në gjykimin ndaj ish-zyrtarëve të Agjencisë së Akreditimit, Ferdije Zhushi e Basri Muja, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare e marrje të ryshfetit, si dhe të akuzuarit tjetër, Armend Mujës, i akuzuar për marrje ryshfeti, e akuzuara Ferdije Zhushi Etemi u është përgjigjur pyetjeve të ish-drejtorit të Kolegjit ISPE, Avni Mazrrekut dhe përfaqësuesit të kolegjit Universum, Suad Berishës.

Në gjykimin e sotëm trupi gjykues njoftoi se Gjykata e ka pranuar një vendim nga Zyra e Prokurorisë Speciale, me të cilin është refuzuara kërkesa e të dëmtuarit Avni Mazrrekut të cilën e kishte parashtruar më 12.11.2018 që prokurori Naim Abazi të përjashtohet nga kjo çështje penale.

Gjatë gjykimit të sotëm ishte paraparë që të jepej fjala përfundimtare, mirëpo kryetarja e trupit gjykues Valbona Selimaj i lejoi të dëmtuarit t’u bëjnë pyetje të akuzuarve, me arsyetimin se i dëmtuari Suad Berisha nuk ka qenë i njoftuar për mbajtjen e seancës ku kanë dhënë mbrojtjen të akuzuarit dhe të njëjtit i është pamundësuar parashtrimi i pyetjeve për të akuzuarit.

Basri Muja që nga fillimi ka shfrytëzuar të drejtën e tij ligjore që te mbrohet në heshtje, ndërsa Armend Muja është deklaruara në pyetjet e mbrojtësit të tij dhe në seancën e sotme tha se qëndron prapa asaj çfarë ka thënë më herët dhe nuk ka çfarë të shtojë më shumë.

Në pyetjet e parashtruara nga i dëmtuari Avni Mazrreku e akuzuara Ferdije Zhushi – Etemi deklaroi se Këshilli Shtetëror i Cilësisë  (KSHC) është përbërë nga njerëz profesionalë dhe se RAGS-i asnjëherë nuk ka qenë obligator për KSHC por vetëm informues.

Gjithashtu ka shtuar se të gjithë anëtaret kanë qenë të barabartë dhe se roli i saj ka qenë të caktojë datat, mbledhjet, rendin e ditës si dhe në fund të nënshkruante vendimet e marra gjatë një mbledhjeje.

Sa u përket anëtarëve ndërkombëtarë kur nuk kanë mundur të jenë prezentë është organizuar një konferencë online  me “Skype”, ku ata kanë qenë të përfshirë ne diskutimin dhe kanë dhënë mendimin e tyre.

Ndërsa e akuzuara Zhushi ka deklaruar se në vitin 2014 në vizitat vlerësuese në këtë Kolegj si anëtar të KSHC-së  ka qenë Blerim Rexha, kurse në vitin 2013 Steve Bristo, kurse vizita e saj e fundit në këtë Kolegj kishte qenë në vitin 2013 pasi i kujtohet mirë meqenëse aty ajo tha se ka marrë kërcënime prej hyrjes e derisa kishte dalë nga dera.

Sa  i përket rolit të bordit, Ferdije Zhushi  tha se ekspertët kanë ardhur për të  dhënë vlerësime dhe rekomandime, ndërsa vendimet janë marrë nga bordi i KSHC-së.

“Ekspertët ndërkombëtarë nuk kanë qenë të informuar për mashtrimet e kolegjeve lidhur me stafin akademik kështu që Agjencia, konkretisht pjesa administrative e  Agjencisë, e ka pasur për detyrë që të verifikojë stafin dhe për çdo mospërputhje me atë çfarë ka paraqitur institucioni, ka pasur për detyrë  t’i lajmërojë ekspertët si dhe KSHC-në, prandaj ka qenë iniciativa që të bëhet ky programi që është sot dhe gjendja reale e tij shihet edhe në ditët e sotme”, tha e akuzuara.

“Sa i përket vendimit të mbledhjes së datës 3  korrik 2013 lidhur me programin e akreditimit të Kolegjit ISPE  të publikuar në webfaqe si dhe media dhe Ministrisë së Arsimit për vendimet e marra, në këtë mbledhje aty shkruan ndër të tjera për ISPE akreditimi institucional ka qenë 5 vite, ndërsa në një vendim të nënshkruar nga ju akreditimi ka qenë institucional zbret nga 5 në 3 vite. Në procesverbal thoni se përgjegjësi për komunikim me media ka qenë Fortuna Mehmeti. Cili është roli juaj profesional në lëshimin e këtij komunikimi, a e ka bërë Fortuna vetë këtë apo me autorizimin e juaj apo të dikujt tjetër?”, ishte pyetja drejtuar të akuzuarës nga Mazrreku.

“Pas mbledhjes që ka zgjatur me orë Fortuna e ka dhënë një deklaratë për shtyp të cilën unë nuk e kam nënshkruar, ndërsa valide dhe e bazuar në procesverbalin e mbledhjes është vendimi i datës 8 korrik që këta e kanë marrë, ku saktë shkruhet që riakreditimi institucional është për periudhën 3 vjeçare. Këtë e ka sqaruar edhe dëshmitarja Fortuna Mehmeti që ka qenë nën presionin e gazetarëve dhe ka qenë gabim teknik”, tha e akuzuara.

Lidhur me pretendimet për marrje të ryshfetit, se a ishin takuar rastësisht me të dëmtuarin në restorantin “A&A”, ajo tha se qëndron pranë përgjigjeve të mëparshme.

“Unë e kam dhënë një përgjigje ma herët dhe mbes pranë asaj përgjigje”, theksoi Ferdije Zhushi- Etemi.

Edhe përfaqësuesi i Kolegjit Universum ka parashtruar pyetje të akuzuarës se a jeni në dijeni për atë draft rekomandimet të ekspertëve të datës 26 qershor 2013?

“Prokurori i mëhershëm e ka tërhequr pikën e aktakuzës  që ka të bëjë me draftet, për shkak se është dërguar gabimisht, e është thënë se e kemi falsifikuar. Unë nuk merrem me drafte, drafti mua nuk më ka ardhur, unë e kam pasur për obligim t’i lexoj raportin final dhe jemi mbështetur në gjetjet prej raporteve finale”, tha e akuzuara Zhushi.

“Jam i penguar të zbuloj të vërtetën nëse ka kësi kufizime. Unë nuk jam interesuar te vendimi final e kam shfrytëzuar të drejtën e ankesës, unë jam i interesuar te falsifikimi i raporteve”, ka thënë Suad Berisha.

Në seancën e sotme vërejtje pati për të dy të dëmtuarit e kolegjeve ISPE dhe Universum.

Gjyqtarja Valbona Selimaj ka tërhequr disa herë vërejtjen që pyetjet e tyre të fokusohen vetëm në dispozitiv të aktit akuzues.

Seanca e radhës do të mbahet më 22 janar.

https://kallxo.com/drejt-fundit-gjykimi-ndaj-ish-zyrtareve-te-akreditimit/

Në këtë proces gjyqësor Basri Muja dhe Ferdije Zhushi ngarkohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe në vazhdim dhe për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje.

Ndërsa Armend Muja akuzohet për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje.

Në kohën për të cilën akuzohen, Basri Muja ishte drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ndërsa Ferdije Zhushi zyrtare e kësaj Agjencie.

Ferdije Zhushi-Etemi që ishte kryetare e Bordit të Agjencisë Kosovare për Akreditim kishte dhenë dorëheqje nga kjo pozitë  në shtator të vitit 2015, pak ditë pasi ndaj saj u ngrit aktakuza.

Ajo bashkë me Armend Mujën, një ish-punonjës në UNDP, u arrestuan në nëntor të vitit 2014.

Për këtë rast i akuzuar ishte edhe Naim Braha që ngarkohej për dhënie të ryshfetit, por Brahës i është vjetërsuar lënda.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.