Ilustrim

Fëmijët kosovarë në shkolla ushqehen pashëndetshëm

Fëmijët kosovarë të cilët vijojnë mësimet në shkolla ushqehen joshëndetshëm. Këtë e thonë ekspertët e fushës por edhe hulumtimi i emisionit “Jeta në Kosovë” i realizuar gjatë këtij viti nëpër shkollat e Kosovës.

Hulumtimi tregon se fëmijët kosovarë në mëngjes ushqehen me atë që gjejnë rreth oborrit të shkollës, ata nuk marrin ushqim të përgatitur nga shtëpia por as shkolla nuk ofron mundësi për ushqyerje të shëndetshme.

“Menyja kryesore e tyre është senduich, tost, hamburgerë, patatina të fërguara nëpër qese e pije energjike. Cikli i ultë e kanë shujtën dhe qumështin, kiflet janë duke u refuzuar dukshëm nuk i duan, qumështin e marrin disa me dëshirë e disa jo. Mësimdhënësit janë të obliguar të ju japin me vete në çantë që ta marrin në shtëpi. Cikli i lartë i konsumon tostat hamburgerët, ndonjë kifle e marrin çipsat, farat e lulediellit një përqindje konsumohet edhe pije energjike, lëngje të çmimeve tepër të ulëta që nuk janë të mira, këto janë menyja e tyre”, thotë drejtoresha e Shkollës Fillore “Naim Frashëri”, Remzije Berisha.

Ka qenë kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti i cili pati nisur iniciativën e shpërndarjes së një kifle me qumësht për fëmijët në shkolla por hulumtimi i ‘Jeta në Kosovë’ tregoi se fëmijët në masë të madhe nuk i konsumojnë ato. Pra ky ushqim në shumicën e rasteve përfundon në mbeturina.

Ushqimi i pashëndetshëm ka rezultat mbipeshën që është një ndër shkaktarët kryesor pse fëmijët preken nga diabeti. Popullsia botërore e fëmijëve 0-4 vjeç llogaritet rreth 1.8 deri në 2 miliardë, çdo vit shfaqen 70 mijë raste të reja me diabet.

Në përgjithësi, mbi 90 përqind e fëmijëve me diabet të kësaj moshe kanë diabetin tipin 1, pra i janë dëmtuar qelizat beta prodhuese të insulinës.  Çdo ditë, në botë, rreth 200 fëmijë shfaqin diabet të tipit 1. Në përgjithësi diabeti i tipit 1 tek fëmijët parashkollorë rritet me 5 përqind dhe me 3 përqind në fëmijët deri në 14-15 vjeç.

Vjosa Mulliqi Kotori, pediatre endokrinologe, thotë se numri i fëmijëve me diabet në Kosovë është rritur dukshëm.

“Te ne është shumë brengosëse mënyra e ushqimit e cila jo vetëm në familje të caktuara që nuk respektohet por edhe në ambiente ku fëmijët qëndrojnë gjatë shkollimit të tyre qoftë edhe në shkolla publike ku kanë qëndrim më të shkurtë qoftë në kolegje private ku kanë qëndrim më të gjatë ditorë kur duhet të kalojnë dy racione për ato orë të gjata ditore”, thotë Mulliqi- Kotorri.

“Ata qëndrojnë nga mëngjesi deri në orët e vona të pasdites, duke i parë gjithë këta faktorë ne vërejmë që problemi i mbipeshës dhe obeziteti është problem në rritje e sipër. Në njëfarë forme po paraqitet si një epidemi globale në Kosovë dhe vendet e tjera të botës. Ajo që është shumë shqetësuese është që fëmijët tanë ushqehen me karbohidrate –sheqerna. Në sasi të shtuar ata marrin në përgjithësi drithëra shumë, preparate të bukës të çipsave pijet energjike që po i konsumojnë shumë pa kontrolle. Të gjitha këto e bëjnë fëmijën më energjik e më agresiv e nuk i japin rritje dhe zhvillim normal“, thotë Mulliqi Kotori.

Së fundmi Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë ka miratuar udhëzimin administrativ për të ushqyerit shëndetshëm të fëmijëve në institucionet edukative arsimore, aftësuese të arsimit parauniversitar.

Ky udhëzim e obligon Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të bëjnë promovimin e ushqimit të shëndetshëm në institucionet parauniversitare me theks të veçantë në institucionet parashkollore dhe shkolla.

Instituti i Shëndetit Publik thotë se ushqyerja e shëndetshme e brezit të ri është ende sfidë për ata. Instituti konsideron se është më se e nevojshme  mobilizimi i të gjitha institucioneve relevante shëndetësore dhe jo shëndetësore që të ndikojnë në promovimin e ruajtjes dhe përparimit të shëndetit të fëmijëve të moshave shkollore.

Sipas udhëzimit nëpër shkolla duhet të ketë hapësira të mjaftueshme për shërbimin e ushqimit apo për konsumimin e ushqimit të marrë në shtëpi.

Dëmi i shkaktuar nga ushqimi i pashëndetshëm në fillim të jetës dhe në fazën e rritjes do e ndjek një person për gjithë jetën e tij, kështu thotë nutricionistja Diola Dosti- Baftiu.

“Në fillim është mëlçia ajo që preket si një organ kryesor laborator, sepse është organ në të cilin akumulohen të gjitha lëndët që i marrim, përmes aparatit të gojës përpunohen aty dhe është një tërësi e reaksioneve kimike që ndodhin me prodhimin e llojeve të ndryshme të enzimave për të tretur ose jo ushqimet që ne i marrim. Dhe kur ne konsumojmë ngarkesa të këtyre kimikateve apo edhe ngjyrues sintetikë normalisht mëlçia ka një lloj limiti ajo mban deri diku disa lloje prej tyre dhe në momentin që ajo mbushet vjen një kohë që nuk e kryen funksionin e vet. Dhe te këta fëmijë që janë ushqyer që nga fëmijëria prej 6 muajsh e deri në moshën 5-6 vjeçare është një lloj grumbullimi i këtyre toksinave dhe pastaj fillon kundër-reaksionet i organizmit të tyre”, thotë Dosti Baftiu.

https://kallxo.com/bytyqi-do-te-hartojme-nje-meny-ushqimi-per-shkolla/

.