FDH mban ligjëratën ‘Sot 20 vite më parë: Rasti ‘Te Pishat në Skenderaj’

Njëzet vjet më parë, më 20 mars 1999, vetëm në qytetin e Skenderajt, te vendi i quajtur “Te  Pishat”, lagjen I dhe II,  u vranë apo u zhdukën 30 qytetarë nga forcat e uniformuara serbe, ndërsa qindra të tjera u larguan me dhunë nga shtëpitë e tyre.

Për të  përkujtuar këtë masakër Fondi për të Drejtën Humanitare në Prishtinë ka mbajtur një ligjëratë informuese në Qendrën Kosovare të Dokumentimit të krimeve  rreth ndodhive të asaj dite, me ç’ rast janë përkujtuar edhe viktimat e asaj dite.

Dea Dedi, menaxhere e Qendrës së Dokumentimit, ka prezantuar ligjëratën e përgatitur, që siç ka thënë, mbi gjetjet dhe faktet të bazuara në deklaratat e dëshmitarëve okularë, familjarëve të viktimave dhe të gjetjeve nga Tribunali i Hagës.

Para se të prezantojë ngjarjet e 20 marsit të viti 1999, Dedi ka folur për vështirësitë dhe situatën politike që kishte kapluar Kosovën në atë periudhë. Ndërsa në mënyrë kronologjike ka rrëfyer vrasjet e viktimave të asaj dite dhe tregimin familjarëve të tyre.

Duke rrëfyer rastin e vrasjes së Veli Mustafës nga Skenderaj, Dedi ka treguar se familja Mustafa që jetonte në Lagjen II të Skenderajt,  kishte pritur refugjatë nga 17 marsi i 1999 nga fshatrat përreth.

Më 20 mars të vitit 1999 janë dëgjuar të shtëna armësh që nga mëngjesi, ndërsa persona në uniforma të bardha kishin shkuar në shtëpinë e tyre rreth orës 1 pas dite.

“Gjashtë persona kishin hyrë në shtëpi dhe kishin urdhëruar të gjithë të dilnin në oborr, gratë dhe fëmijë i kishin urdhëruar të niseshin për Shqipëri, kurse Veli Mustafën e ndalën në oborr. Pasi të tjerët u nisën dëgjuan të shtëna armësh. Pas tri javësh familjarët kanë marrë lajmin se Veliu ishte vrarë dhe ishte varrosur nga fqinjët më 30 mars 1999 në oborrin shtëpisë”, ka treguar ndër të tjera gjatë ligjëratës së saj Dea Dedi rastin e rrëfimit të vrasjes së Veli Mustafës.

Në fund të ligjëratës, Dedi ka thënë se vrasjet dhe zhdukjet e qytetarëve në zonën e Skenderajt kanë ndodhur në zonë e përgjegjësisë së Brigadës 125 të Motorizuar, e cila ishte pjesë e Korpusit të Prishtinës të ushtrisë Jugosllave. Ndërsa, ka thënë ajo,  këtë e tregojnë dokumentet sekrete të Ushtrisë Jugosllave, kush drejtonte Brigadën apo edhe njësitë e tjera që ishin prezentë atë ditë në Skenderaj.

“Përkundër dëshmive për krimet e kryera në Skenderaj asnjë anëtar i vetëm i Brigadës 125 të Motorizuar nuk është ndjekur penalisht. Përkundrazi, në Serbi drejtues të kësaj Brigade janë dekoruar pas luftës”, ka thënë ajo.

Ndërsa drejtori FDH-së, Bekim Blakaj, në një prononcim për Kallxo.com  ka pohuar se ky  përshkrim i detajuar i ngjarjeve që kanë ndodhur këtu e 20 vjet më parë në Skenderaj ka për qëllim që të mos harrohen viktimat. Po ashtu, qëllimi, sipas tij, është krijimi i një kujtese kolektive për atë çka ka ndodhur në të kaluarën dhe informimi i saktë për ngjarjen.

Sipas tij, memorizimi i viktimave, krijimi i saktë i narracionit se çfarë ka ndodhur në të kaluarën, do të trasojë rrugën për pajtim dhe relaksim të marrëdhënieve mes komuniteteve.

“Ndjeva keqardhje pasi disa prej familjarëve të viktimave u emocionuan, pasi tash 20 vjet pas luftës po ndihen secilën herë më të braktisur”, ka thënë ai, duke shtuar se ligjërata ndikoi edhe në shtytjen e personave të ndryshëm për të rikujtuar ngjarje dhe identifikimin e personave që mund të kenë kryer krime”, ka thënë ai për Kallxo.com.

Ndër ka paralajmëruar se shumë shpejt do të hapet një ekspozitë me fëmijët e vrarë dhe të zhdukur  gjatë luftës, ku do të pasqyrohen dëshmi dhe gjësende të atyre fëmijëve.