Foto: REL/ European Councll

Faza e Re e Dialogut Nën Tensione të Reja

Fillimi i fazës së re të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, po përcillet me tensione e nervozë reciproke, që pasojnë zhvillimet e fundit në veri të Kosovës pas arrestimit dhe më pas deportimit të Marko Gjuriqit nga Policia e Kosovës.

Tensionet në Kosovë të krijuara nga vizita e Gjuriqit e realizuar pa lejen e institucioneve të Kosovës dhe reagimi më pas i autoriteteve të Prishtinës, ndodhën vetëm tri ditë pasi që presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq përfunduan raundin e ri të dialogut në një darkë pune në Bruksel me lehtësimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Kjo fazë e re e dialogut, për përfaqësuesit politikë të Kosovës po interpretohet si pjesa finale, që duhet të përmbyllet me një marrëveshje normalizimi dhe e cila do t’i hapte rrugën Kosovës drejt anëtarësimit në Kombet e Bashkuara dhe mekanizmat e organizatat tjera ndërkombëtare.

Ndërkohë që Bashkimi Evropian proklamon që qëllim i këtij dialogu është relaksimi i raporteve ndërmjet dy vendeve, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë tutje me procesin e integrimit evropian.

Megjithatë, zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, mënyra se si po zhvillohen bisedimet dhe si po paraqiten ato para opinionit, sipas politologut, Ramush Tahirit, po çon drejt një tensionimi të ri.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ai tha se, ky lloji tensionimi po vërehet pas takimeve të zyrtarëve të të dyja vendeve, ngase të dyja palët po transmetojnë shpjegime të ndryshme rreth karakterit të bisedimeve.

Tahiri flet edhe për ndikimin e mundshëm që mund të ketë arrestimi i Gjurqit nga autoritetet në Kosovë, në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Rasti i Gjuriqit është një rast i veprimit ilegal dhe është vepër kundërvajtëse e dënohet më ligjet e Kosovës. A ndikon në dialog apo jo? Varet se si palët do të trajtojnë. Pala kosovare konisderon se nuk ndikon sepse edhe në dialogun në Bruksel janë marrë vesh për procedurat se si do ndiqen kur një zyrtar i Serbisë vjen në Kosovë. Dhe këto procedura nuk janë ndjekur në këtë rast sepse përkundër refuzimit nga Ministria e Punës se Jashtme, drejtori i të ashtuquajturës Drejtori për Kosovë dhe Metohi, ka hyrë ilegalisht në Kosovë”, tha Tahiri.

Edhe analisti tjetër i çështjeve politike, Ilir Ibrahimi, thotë se kjo fazë kur dialogu po i afrohet pjesës finale të bisedimeve, po karakterizohet me tensionim të pozicioneve. Sidomos, sipas tij, te pala serbe po vërehet që me çdo mënyrë po përpiqet të provokojë situatën për të forcuar pozicionin e vetë negociues.

“Duke parë edhe provokimet që po ndodhin në veri të Kosovës, po duket se presidenti Aleksandar Vuçiq nuk është shkëputur plotësisht nga politika e Sllobodan Millosheviqit, i cili gjithmonë me provokimet e tilla ka arritur te caqet e veta në politikën e jashtme”.

“Kjo po shihet edhe nga zoti Vuçiq, sepse ne e dimë se ai ka bërë një deklaratë se çfarë do të donte të shihte si një zgjidhje për Kosovën dhe ndarja e Kosovës është një nga këto pika. Dhe nga këto veprime që po i shohim po duket se kjo strategji ka filluar të vihet në funksion”, thekson Ibrahimi.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në dy nivele, atë politik, ku delegacionet përfaqësohen nga presidentët e shteteve apo kryeministrat, dhe niveli teknik, që zhvillohet përmes ekipeve të ekspertëve, ministrave dhe përfaqësuesve të institucioneve nga të dyja shtetet.

Sidoqoftë, zhvillimet e fundit dhe vendimi i Listës Serbe me mbështetjen e Beogradit që njënashëm të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, si një prej arritjeve më të mëdha të këtij dialogu, tashmë e kanë vënën nën pikëpyetje gjithë procesit dhe pritjet janë që këto çështje t’i adresojë me palët Bashkimi Evropian dhe vetë Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mohgerini.