Faturat për rrymë tani paguhen edhe online

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka lansuar këtë javë aplikacionin “eKesco”, i cili u mundëson konsumatorëve të paguajnë faturat e energjisë elektrike online si dhe të jenë të informuar për çdo zhvillim që lidhet me furnizimin me rrymë.

Ky aplikacion siç bëhet e ditur në një komunikatë për media, mund të shkarkohet në telefonat e mençur dhe ofron informata për faturat, borxhin e papaguar, shkyçjet dhe rikyçjet, për ndërprerjet e rrymës për shkak të punimeve në rrjet, dhe shumë informata të tjera.

Në KESCO thonë se përmes këtij aplikacioni synojnë që ta përmirësojë edhe më shumë shërbimin ndaj klientëve.

Përdoruesit e telefonave me sistem Android, këtë aplikacion mund ta shkarkojnë në PlayStore, ndërsa përdoruesit e telefonave iPhone mund ta shkarkojnë në AppStore.

Një udhëzues që u sqaron konsumatorëve se si të regjistrohen dhe ta përdorin këtë aplikacion gjendet në faqen e KESCO-s në internet.