Faton Topalli: Për ‘Syrin e Popullit’ dëgjova nga Kadri Veseli

I ftuar në cilësinë e dëshmitarit në gjykimin ndaj pjesëtarëve të organizatës ‘Syri i Popullit’, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Faton Topalli, tha se për herë të parë për këtë organizatë kishte dëgjuar nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.

Topalli, deputet i Partisë Social Demokrate, në kohën kur kishte dëgjuar për këtë organizatë kishte qenë deputet i Vetëvendosjes.

Ai tha në gjykatë se kur kishte dëgjuar për herë të parë për emrin e organizatës, kishte menduar se bëhej fjalë për ndonjë kompani të sigurimit fizik.

“Kam dëgjuar nga Kadri Veseli për organizatën. Në objekt të Kuvendit kam pritur një delegacion të Kuvendit dhe gjatë një momenti ka ardhur Kadri Veseli dhe më ka pyetur se çfarë bëni ju të Vetëvendosjes dhe e kam pyetur se çfarë, ai më ka thanë për ‘Syrin e Popullit’ dhe unë pa ironi kam menduar se është fjala për një organizatë të sigurimit fizik”, tha Topalli në gjykatë.

Topalli foli edhe për një takim në një restoran në Prishtinë.

“Unë kam lënë një takim me Max Bryn dhe e kam pyetur se ku dëshiron të takohemi dhe e kemi lënë aty dhe pasi kemi porositur e kam pa Sadriun (Ramabajën) së bashku me dy persona, e kam përshëndet dhe m’i ka prezantuar dy mërgimtarë që kanë qenë aty si aktivistë mërgimtarë dhe pasi jemi përshëndetur- më janë prezantuar por s’i kam mbajtur mend- pastaj nga mediat e kam kuptuar se për kënd bëhet fjalë”, tha Topalli.

“Për aq sa unë e kam kuptuar për deklarimet e tij në Lëvizjen Vetëvendosje ka qenë njeri kritik dhe reformator prandaj dhe jam habitur shumë për të gjitha që kanë ndodhur sepse unë Sadriun e njoh si njeri të urtë dhe të dijshëm dhe aktivist punëtor”, tha Faton Topalli.

Më herët dëshminë e tyre në këtë proces e dhanë edhe Kadri Veseli e Xhavit Haliti.