Fatmir Limaj: Kjo Aktakuzë është Ngritur me Urdhër Politik

Fatmir Limaj erdhi edhe njëherë në gjykatë, këtë herë në seancën statusore të gjykimit për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar.

Ai tha se aktakuza ndaj tij është ngritur me urdhër politik.

“Ju këtu do ta shihni se me urdhër politik prokuroria i ka hapur hetimet, me urdhër ka bërë ndjekje dhe tani në gjykatë për t’i vërtetuar faktet. Ne do të vërtetojmë se që kanë qenë me urdhër politik për të hapur hetimet dhe prokuroria ka abuzuar me ligjin duke zbatuar urdhrat politikë”, tha Limaj pa dhënë emra se nga kush kanë ardhur urdhrat që përmendi.

Në procesin e njëjtë me Limajn për të njëjtat akuza nga Prokuroria Speciale e Kosovës po ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku dhe Florim Zuka.

Në seancë kryetarja e trupit gjykues Maria Tume tregoi se si ka rrjedhur procedura deri tash.

“Në këtë rast paraprakisht janë ngritur dy aktakuza. Aktakuza e parë ishte ngritur në gjykatë me 5 dhjetor 2012 e cila është e njohur si MTPT 1 dhe aktakuza e dytë është ngritur me datë 19 shkurt të vitit 2014 e njohur si MTPT2. Me vendimin e datës 30 maj 2014 të kryetares së atëhershme të trupit gjykues janë bashkuar këto dy raste,” tha Tume.

Ajo tregoi se në rastet që janë bashkuar janë mbajtur seancat fillestare dhe janë konsumuar ankesat.

Mbrojtja ka ngritur disa kundërshtime në rastin MTPT2 dhe në atë kohë kryetarja e trupit gjykues ka nxjerrë aktvendim me datë 29 maj 2014 dhe në bazë të atij vendimi të dy palët si prokuroria ashtu edhe mbrojtja kanë dorëzuar ankesat e tyre dhe në bazë të atyre ankesave Gjykata e Apelit me 23 dhjetor 2014 vendosi që ai vendim nuk mund të ankimohet sepse është vendim i prerë,”sqaroi Tume.

Aktakuzën ndaj Limajt dhe të tjerëve, kryetarja e trupit gjykues e quajti të konsoliduar.

“Aktakuza e konsoliduar nga zyra e prokurorisë nuk është as aktakuzë e re dhe as e ndryshuar por e konsoliduar, nuk janë ngritur akuza të reja dhe nuk janë bërë pika të reja në aktakuza, kjo aktakuzë është më e përshtatshme sa i përket gjykimit, kjo aktakuzë do të jetë ajo operative e këtij rasti, kjo është kjo,” tha Tume.

Termin aktakuzë e konsoliduar e kontestoi Tahir Rrecaj, avokati i Fatmir Limajt.

“Kodi i procedurës penale i Kosovës nuk e njeh shprehjen aktakuzë e konsoliduar, ajo mund të jetë e zgjeruar e ndryshuar, por nuk mund të jetë e konsoliduar dhe ne nuk mund ta pranojmë se çfarë do të thotë prokurori me këtë, e konsoliduar sepse sipas kësaj, aktakuza e mëparshme paskan qenë të parregullta,” tha Rrecaj.

Aktakuza u kundërshtua edhe nga mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë.

Por kryetarja Tume tha se do të vazhdohet me aktakuzën e njëjtë.

“Ky trup gjykues do të vazhdojë të respektojë urdhrat e Apelit, aktvendimit të dhjetorit të vitit 2014 me të cilën prokurori ishte obliguar të paraqesë aktakuzën e konsoliduar dhe po ashtu ai aktvendim ka paraqitu se duhet të vazhdohet me shqyrtim kryesor,” tha Tume.

Seanca e radhës do të mbahet në nëntor.