Foto: REL

Familjarët e të Dëbuarve Kontaktohen nga Autoritetet Turke

Autoritetet turke kanë kontaktuar familjarët e të deportuarve nga Kosova.

Sipas familjarëve të të dëbuarve, autoritet turke u kanë treguar atyre se të deportuarit ndodhen në Turqi.

Lajmi për kontaktimin e familjarëve nga autoritetet e Turqisë është bërë i ditur për KALLXO.com nga këta familjarë.

Pas dëbimit të gjashtë shtetasve turq në Turqi, familjarë, kolegë e nxënësve të tyre protestuan në Prishtinë, por edhe në aeroport dhe ambasadën turke.

Ata dyshonin se disa nga të arrestuarit të enjten po mbaheshin në aeroport dhe në ambasadën e shtetit turk në Kosovë.

Këta familjarë natën mes të premtes dhe të shtunës e kanë kaluar në aeroport.

Shtetasit turq që u arrestuan të enjten në një aksion të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe AKI-së u deportuan për arsye të rrezikimit të sigurisë kombëtare.

Ata ishin pjesë e Kolegjit “Mehmet Akif” dhe shkollave tjera të lidhura me të.

Kryeministri Ramush Haradinaj pas këtij rasti i ka liruar nga detyra ministrin e brendshëm dhe kreun e AKI-së.

Sot Presidenti turk Erdogan ka reaguar ashpër duke kundërshtuar vendimin e Haradinajt për lirim të këtyre zyrtarëve nga detyra.

Reagime në mbrojtje të Kryeministrit Haradinaj kanë ardhur nga shumë politikanë të Kosovës.